Ngërçi i kredisë, BSH: Shkak ecuria e ngadaltë ekonomike

03/11/2015 15:35

Banka e Shqipërisë deklaron se shkaku kryesor që po mban në ngërç kredinë është rritja ende e ngadaltë e ekonomisë dhe kërkesa e dobët për financim nga biznesi dhe individët.

“Kjo del nga indikatorë të ndryshëm që vlerësojmë ne në kuadër të besimit të biznesit dhe familjeve. Njëkohësisht, ritmet e rritjes ekonomike janë deri diku më mirë se dy vite më parë, por më të ulta se potenciali. Bankat raportojnë që ka pak projekte të vlefshme për financim”, thotë Klodi Shehu, drejtor i Stabilitetit Financiar në BSH.

Në fund të nëntëmujorit kredia për ekonominë ishte gati 10 miliardë lekë më pak se një vit më parë. Përballë kërkesës së dobët në vend dhe mungesës së projekteve, bankat kanë filluar të kreditojnë biznese jashtë vendit.

“Kredia për rezidentët dhe për jorezidentët nuk përfaqëson një veprimtari përjashtuese. Pra nuk do të thotë që nuk po kreditohen rezidentët dhe po kreditohen jorezidentët. Ka mjaftueshëm fonde sektori bankar që në rast se do të ketë projekte të vlefshme të financojë brenda vendit”, thotë Shehu.

Megjithë rritjen e fortë vitin e fundit, kredia që bankat kanë dhënë jashtë kufijve mbetet ende e kufizuar ndaj aseteve të tyre. Por huatë nuk janë investimi i vetëm që ato kanë jashtë. Veç tyre bankat kanë vendosur edhe 240 miliardë lekë të tjera në formën e depozitave tek mëmat apo blerjes së letrave me vlerë të qeverive të huaja.

“Ne kemi vendosur disa masa që përpiqen ta bëjnë më të kushtueshme nga pikëpamja e kërkesave për kapital rritjen e vazhdueshme të depozitave jashtë të sektorit bankar. Njëkohësisht kemi ulur kërkesën për kapital për dhënien e kredisë brenda vendit. Por siç duket, këto masa, që shënjestrojnë më shumë pjesën e ofertës së kredisë nuk janë të mjaftueshme për të siguruar rritjen e kredisë që ne presim”, sqaron drejtori i Stabilitetit Financiar në BSH.
 
Nga normat dyshifrore të rritjes për gati një dekadë me radhë, në tre vitet e fundit kredia për ekonominë ka qenë në stanjacion duke u luhatur rreth nivelit 550 miliardë lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA