Meta: Të ndryshojmë Kushtetutën, por jo ta deformojmë atë

03/11/2015 13:15

Ilir Meta pret të mësohet nga e shkuara në lidhje me reformën në drejtësi. Në një deklaratë për mediat, pak pas përfundimit të takimit me përfaqësuesin e Parlamentit Europian, Gianni Pitella, kreu i Kuvendit kujtoi ndërhyrjen e beftë të 2008-ës në Kushtetutën e vendit.

“Shpreh keqardhjen për deformimet që iu bënë Kushtetutës në vitin 2008 edhe cënimi i parimit të kontrollit dhe balancës mes pushteteve që u bënë brenda natës dhe pa u konsultuar me Komisionin e Venecias. Ky është një proces i hapur dhe kjo do ta bëjë që të jetë i qëndrueshëm që të mos detyrohemi të bëjmë ndryshime të tjera në Kushtetutë. Kushtetuta jonë ishte një ndër më demokratiket në Europë”, deklaroi Meta.

Si kryetar i LSI-së, Meta njohur problemet në sistemin aktual dhe shprehu mbështetjen për këtë reformë.

“Kemi shprehur mbështetjen tonë më të plotë për reformën në drejtësi pasi ky është një sistem që nuk ka funksionuar sipas pritshmërive, por ka edhe një përgjegjësi serioze me zbatimin e ligjit në vend në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe e ka të nevojshme të ndryshojë në mënyrë”, deklari kreu i LSI-së.

Meta tha se propozimet e LSI-së adresuar Venecias synojnë të përmirësojnë draftin e paraqitur nga ekspertët, ndërsa nuk komentoi në lidhje me zërat që qarkullojnë së fundmi se ka kontakte mes PS-së dhe PD-së për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Kreu i Kuvendit kërkoi që t’i jepet fund ping-pongut me dekriminalizimin dhe të kalojë sa më shpejt ligji.

“LSI ka një axhendë të qartë të saj dhe pika e parë është që t’i jepet fund dekriminalizimit. Parimisht jemi për dekriminalizimin që të bëhet dhe t’i jepet fund lojës së ping-pongut që penalizon imazhin e Shqipërisë”, u shpreh ai.

Propozimi i bashës, ulja e deputetëve dhe ngrtja e një senati?

Lidhur me debatin e lindur nga propozimi i Lulzim Bashës për uljen e numrit të deputetëve në Kuvend dhe mundësisë për ngritjen e një senati, Meta e quajti atë debat fals.

“Nuk kam ndërmend të bëhem pjesë e asnjë debati fals, që kërkon të shmangë vëmendjen nga problemet e vërteta që ka vendi, nga axhenda e vërtetë që ka vendi”, tha ai.

Në fund, kreu i Kuvendit kërkoi që reforma në drejtësi të jetë gjithpërfshirëse që të shmanget mbajtja e një referendumi.

Top Channel