Të bësh biznes në Shqipëri; çfarë nuk shikon raporti i fundit i BB?

31/10/2015 00:35

Shqipëria humbi 35 vende në raportin e Bankës Botërore për sa i takon klimës së biznesit. Kjo çështje vijon të jetë argument ditë, por edhe debat politik mes palëve.

Eksperti i ekonomisë, Ilir Ciko ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ku foli mbi këtë raport të fundit, rëndësinë e tij, si edhe shkaqet që e çuan Shqipërinë 35 vende në poshtë në renditje.

Ciko u shpreh se ky raport nuk pasqyron aspak realitetin që ndeshen bizneset në vendet përkatëse dhe “kjo është një nga mangësitë kryesore për të cilat edhe ky raport kritikohet”.

“Për përgatitjen e këtij raporti nuk merren opinionet e bizneseve, sikurse nga ana tjetër ky raport nuk ka një monitorim të situatës konkrete në vendin përkatës. Ky raport është i bazuar kryesisht në opinionet e ekspertëve ligjorë”, tha Ciko.

Pandi Gjata: Çfarë vlere ka ky raport dhe çfarë rëndësie kanë matjet e tij?

Ilir Ciko: Ka një vlerë të madhe sepse së bashku me tre apo katër raporte të tjera pasqyrojnë zhvillimet ekonomike të të gjitha vendeve. Nga ana tjetër, i publikuar nga një institucion i rëndësishëm siç është Banka Botërore, ky raport është shumë i rëndësishëm.

Pandi Gjata: Si i shikoni rezultatet për Shqipërinë dhe cilat kanë qenë shkaqet që ne kemi zbritur 35 vende?

Ilir Ciko: Ka pasur mjaft debate këto ditë mbi shkaqet që kanë shkaktuar këtë renditje të vendit tonë në renditje, të cilat për mendimin tim lidhem edhe me natyrën e ndërtimit të raportit, por padyshim faktorë kryesorë janë edhe ato që lidhen me reformat dhe me zhvillimet e fundit në Shqipëri. Ky raport ka edhe një sërë mangësish të cilat korrigjohen ose plotësohen nga ana e raporteve të tjera. Unë do veçoja aspektin e parë që raporti “Doing Business” i Bankës Botërore paraqet situatën teorike të zhvillimeve ekonomike në vend, pasi në mënyrë të përmbledhur ai përpiqet të analizojë të gjitha hapat me të cilat ndiqet në ciklin e tij një biznes, duke iu referuar procedurave të biznesit të cilat pasqyrohen në legjislacionin përkatës. Por ky raport nuk pasqyron aspak realitetin që ndeshen bizneset në vendet përkatëse dhe kjo është një nga mangësitë kryesore për të cilat edhe ky raport kritikohet. Për përgatitjen e këtij raporti nuk merren opinionet e bizneseve, sikurse nga ana tjetër ky raport nuk ka një monitorim të situatës konkrete në vendin përkatës. Ky raport është i bazuar kryesisht në opinionet e ekspertëve ligjorë, të cilët shqyrtojnë dhe analizojnë legjislacionin përkatës, proceduar të cilat duhet të ndjekin bizneset dhe mbi bazën e këtyre arrihet në konkluzione dhe dalin edhe indikatorët përkatës.

Pandi Gjata: Po çështja e korrupsionit a trajtohet në këtë raport?

Ilir Ciko: Kjo është një nga mangësitë më të mëdha. Çështja e korrupsionit nuk trajtohet fare.

Pandi Gjata: Kjo është zgjedhje e ekspertëve dhe atyre që bëjnë këto raporte?

Ilir Ciko: Ky raport nuk lë jashtë vetëm çështjen e korrupsionit. Një tjetër problem që ndeshen shpesh bizneset është edhe ekzistenca e monopoleve në treg, mbyllja e tregut, çështja e prokurimeve publike. Këto çështje nuk trajtohen fare nga ana e raportit “Doing Business”.

Pandi Gjata: A është më i paplotë duke mos prekur këto pjesë?

Ilir Ciko: Sigurisht. Duke qenë perfekt në aspektet që ai mbulon, raporti mbetet i përciptë, pasi kurrsesi nuk trajton të gjithë problematikën me të cilën ndeshet biznesi.

Pandi Gjata: Ju thatë që rezultat janë edhe politikat dhe reformat e ndërmarra nga Qeveria, por ajo thotë se është një situatë e rikuperueshme. Dhe kur i referohej një çështje kryesore si ajo e ndërtimit thoshte se u bllokuan për t’i hapur rrugën edhe asaj që ishte e rëndësishme për Qeverinë dhe mazhorancën, reforma territoriale. A mendoni se është e rikuperueshme kjo situatë?

Ilir Ciko: Unë mendoj se pjesa dërrmuese e rënies së Shqipërisë në këtë raport vjen padyshim për shkak të treguesve që lidhen me dhënien e lejeve të ndërtimit. Nuk duhet të harrojmë se edhe vitin e kaluar po ky faktor ka qenë ai që kontribuoi një masë të mirë në rritjen e dukshme të Shqipërisë në raport. Pikërisht këto oshilacione që ndodhin nga viti në vit, ndoshta edhe për masa tepër të kufizuara që mund të marrë dhe mund të mos marrë Shqipëria, e bëjnë paksa problematik trajtimin e këtij raporti, i cili për sa i përket zbatimit të këtij legjislacioni nuk e pasqyron diferencën mes vendeve , megjithëse e përsëris se ka një vlerë të jashtëzakonshme në drejtim të shqyrtimit dhe krahasimit të legjislacioneve të vendeve përkatëse.

Pandi Gjata: Në mjedisin e sotëm të ekonomisë shqiptare ku rritja nuk është e lartë, nuk hapen shumë vende punë, kemi një rënie të konsumit, por edhe kreditë nuk janë të mjaftueshme për biznesin. Çfarë mendoni se duhet të ndërmerret si një ndërhyrje emergjente për të përmirësuar klimën, por edhe ekonominë në vend?

Ilir Ciko: Nëse do t’i referohemi në një këndvështrim të ngushtë raportit të “Doing Business”, do të thosha se është e domosdoshme që disa masa si çështja e lejeve të ndërtimit, por edhe çështje të tjera duhet të trajtohet dhe nuk ka pse të mos shihen në mënyrë specifike se ku ne çalojmë krahasuar me vendet e tjera, të cilat nga ana teorike janë më mirë se sa ne. Ky raport ka një rëndësi të madhe pasi kur bizneset e mëdha marrin vendime për të hyrë në një vend të caktuar, i referohen raporteve të tilla prestigjioze. Me pak punë në drejtim të përmirësimit të treguesve të këtij raporti për vitin e ardhshëm ne ndihmojë edhe vendin, pasi rrisim besimin që investitorët kanë ndaj vendit tonë. Por kjo është vetëm njëra anë e çështjes pasi reformat e hapjes së tregut, përmirësimit të problematikës që trajtohet nga ana e “Doing Business”, por edhe e raporteve të tjerë, të gjitha këto pastaj do të ndikojnë në rritjen e besimit te investitorët e huaj në vend.

Pandi Gjata: A mund të jetë Maqedonia një shembull për t’u marrë nga Shqipëria?

Ilir Ciko: Pavarësisht se Maqedonia ka një progres të jashtëzakonshëm në të dhënat e këtij raporti, realiteti në Maqedoni ndoshta nuk është saktësisht ai që tregohet nga ana e raportit dhe këtu i referohem realitetit që ndeshen bizneset. Megjith problemet e shumta që mund të ketë, Maqedonia ka qenë tepër pro biznesit në tërheqjen e investitorëve të huaj në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA