Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, pas një hetimi të përbashkët me sektorin e hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, gjykata e kryeqytetit ka vendosur këtë të shtunë masën e sigurisë për 5 persona, drejtues dhe përfaqësues të kompanisë së naftës “Fullpet”.
Ata dyshohet se janë përfshirë në një skemë mashtrimi financiar, duke iu shmangur pagesës së detyrimeve ndaj shtetit rreth 500 milionë lekë të reja.
Prokuroria e Tiranës e kishte nisur hetimin mbi këtë rast në muajin prill të këtij viti, në bazë të informacionit të mbërritur dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me Drejtorinë e Tatimeve.
Nga materiali hetimor ka rezultuar se shtetasit shqiptarë Aurel Preni, Fiqiri Hoxha, Fabian Goçi, si dhe dy shtetas të huaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke filluar nga viti 2012 kanë kryer veprime të ndryshme financiare për të shmangur detyrimin ndaj organeve tatimore.
Në vitin 2014, administrata tatimore kishte konstatuar debinë e kompanisë “Fullpet” në vlerën e 145 milionë lekëve për vitin 2012, shumë që deri në vitin 2015 është trefishuar.
“Për shlyerjen e këtij detyrimi, ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe kompanisë “Fullpet” u nënshkrua një akt-marrëveshje, në bazë të të cilës kompania merrte përsipër shlyerjen e detyrimit me 8 këste. Për të bërë këtë, “Fullpet” mori një kredi në një bankë të nivelit të dytë. Por, nga hetimi rezultoi se kredia e marrë nuk ka shërbyer për shlyerjen e detyrimeve tatimore, por është përdorur për krijimin e kompanive të reja dhe blerjen e aseteve për këto kompani. Këto blerje ka rezultuar se janë tentativë e qartë për t’iu shmangur detyrimeve tatimore”, thuhet në një komunikatë të Prokurorisë së Tiranës.
Top Channel