Renee Jones Bos, zëvëndësministre e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës, gjatë qëndrimit njëditor në Tiranë mori pjesë në seminarin për transformimin e diplomacisë.
Në një intervistë për Top Channel, ajo thotë se Shqipëria nuk i ka përmbushur plotësisht 5 prioritetet. Ndërsa reformën në drejtësi e quan vendimtare. Me Renee Jones Bos bisedoi gazetari Muhamed Veliu.
TCH: Në janar 2016, Holanda do të marrë presidencën e BE-së. Cilat do të jenë prioritetet e kësaj presidence?
Renee Jones Bos: Ne duam që Unioni Europian të fokusohet në inovacion, vende pune dhe zhvillim, sepse është me shumë rëndësi që njerëzit të jenë të punësuar. Gjithashtu, duam që BE-ja të ketë në fokus edhe çështje të rëndësishme të ditëve të sotme. Si për shembull, çështje që lidhen me refugjatët apo emigracionin, përfshi ato të klimës dhe energjisë. Mbi të gjitha, duam një BE që ka në vëmendje qytetarët e saj, se vetëm kështu mund të jemi të lidhur me qytetarët. Njerëzit duhet të përfshihen.
TCH: Po zgjerimi?
Renee Jones Bos: Është një pjesë e rëndësishme e axhendës sonë, pasi qasja e Holandës dihet tashmë, strikt dhe e drejtë. Ne duam t’i ndihmojmë vendet që kanë nisur rrugën drejt BE-së. Ne mendojmë se kjo është e rëndësishme dhe ndihmon reformat.
TCH: Cili është vlerësimi i Holandës për përpjekjet e Shqipërisë sa i përket integrimit europian?
Renee Jones Bos: Hapa madhorë janë hedhur, prandaj Shqipërisë vitin e shkuar iu dha statusi i vendit kandidat. Mendoj se ky ishte një moment me rëndësi dhe ju urojmë për këtë. Por, natyrisht, hapi i radhës është zbatimi, pasi tjetër gjë është t’i kesh gjërat e shkruara apo të prodhosh ligje dhe tjetër gjë t’i realizosh ato. Dhe, siç thuhet, prova e ëmbëlsirës së Pudingut është kur e konsumon atë. Hapa konkretë, vijueshmëri dhe zbatim. Këto janë ato me të cilat do të përballet Shqipëria.
TCH: Cili është vlerësimi i Holandës për Shqipërinë në përmbushje të 5 prioriteteve kërkuar nga Komisioni Europian?
Renee Jones Bos: Jo plotësisht deri më tani. Ne duhet të jemi të sinqertë për këtë. Hapa të tjerë duhet të ndërmerren, si për shembull reformimi i sistemit të drejtësisë, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Pra, hapa janë ndërmarrë, por për momentin nuk jemi atje ku duhet.
TCH: Si i shikoni përpjekjet e nisura në reformimin e sistemit të drejtësisë?
Renee Jones Bos: Disa ide shumë të mira tashmë ndodhen mbi tavolinë. Disa hapa janë ndërmarrë. Por, reforma në drejtësi është një prej atryre gjërave të vështira për t’u realizuar. Është më kryesorja për t’u realizuar. Çdo demokraci e meriton të ketë një sistem drejtësie të mirë. Nëse nuk e kemi një drejtësi të tillë, atëherë demokracia nuk është funksionale. Për Shqipërinë kjo reformë është një prej aspekteve më vendimtare. Ne e ndihmojmë Shqipërinë dhe nuk themi çfarë është mirë apo keq, pra jemi partnerët tuaj. Sot kam takuar shumë njerëz, mes tyre dhe studentë që studiojnë për drejtësi në Holandë. Këtu ne kemi një program për shtetin e së drejtës. Do të punojmë bashkë për hapat e tjerë.
TCH: Cilat janë shqetësimet që Holanda ka për Shqipërinë?
Renee Jones Bos: Ne duhet të jemi të sinqertë. Korrupsioni është me të vërtetë shqetësim. Mendoj se korrupsioni, së bashku me një sistem drejtësie që nuk mirëfunksionon, shërben si një vështirësi në zhvillimin ekonomik të vendit. Është e vështirë për kompanitë, ato duan transparencë dhe nëse kanë një problem, t’i drejtohen gjyqësorit apo nëse ka korrupsion, të goditet. Gjithashtu, e shikojmë si problem edhe papunësinë e të rinjve, mundësitë që ata duhet të kenë. Ju keni një vend të mrekullueshëm, por të rinjtë e talentuar duhet t’i mbani këtu për të ndërtuar vendin.
Top Channel