Ministria e Financave ka ndërhyrë në skemën e rimbursimit të TVSH-së për fermerët, duke detyruar blerësit që të kryejnë pagesat jo vetëm përmes bankave, por edhe përmes degëve të Postës Shqiptare.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, kjo ministri njofton ndërhyrjen në një udhëzim të nëntorit të vitit 2014-të, ku bën të ditur se, “personi i tatueshëm blerës nuk ka të drejtë të kreditojë kompensimin prej 20 përqind, të paraqitur në faturën tatimore të lëshuar sipas këtij neni, nëse nuk provon kryerjen e kompensimit të fermerit nëpërmjet likuidimit të vlerës së faturës nga llogaria bankare e tij në llogarinë bankare të fermerit, apo nëse ky likuidim i faturës nuk është kryer nëpërmjet shërbimit të Postës Shqiptare”.
Sipas Ministrisë së Financave, ky ndryshim ju vjen drejtpërdrejtë në ndihmë fermerëve të regjistruar dhe të pajisur me NIPT nga Drejtoritë Rajonale Tatimore, ndihmon në formalizimin e transaksioneve për qëllime të skemës së kompensimit dhe të plotësimit të zinxhirit të TVSH-së.
Sipas ligjit, për transaksione deri në 5 milionë lekë, fermerët nuk kanë asnjë detyrim për të paguar dhe nuk u jepen as fatura tatimore.
Ministria e Financave njofton se aktualisht janë 11 mijë fermerë që kanë paraqitur kërkesën për të përfituar një dokument zyrtar që i identifikon ata si shitës të prodhimeve të tyre, përtej konsumit familjar.
Top Channel