Opinioni i Kinës për internetin po ndryshon. Tashmë jo vetëm që nuk shihet më si një forcë destabilizues, por liderët e vendit komunist po e përqafojnë me një qasje më të vendosur dhe ambicioze.

Strategjia e re kineze quhet “Internet plus” dhe kombinon censurë më të ashpër e monitorim të përmbatjes me përpjekjet për të futur teknologjinë e informacionit në çdo aspekt të jetës së përditshme.

Diskutimi për këtë strategji do të jetë në zemër të shumë iniciativave këtë javë, ndërsa liderët e Partisë Komuniste kineze mblidhen për të vendosur planin e 13-të 5-vjeçar, i cili praktisht është përmbledhja e politikave deri në 2020.

Sistemi i propozuar kërkon që të përdorë shpërthimin e të dhënave personale që gjenerohen nga smartfonët, aplikacionet dhe transaksionet online në mënyrë që të përmirësojë sjelljen e qytetarëve. Zyrtarisht qëllimi i tij është që të përmirësojë sinqeritetin në çështjet qeveritare, tregtare dhe bashkëveprimin social.

Parimi është i thjeshtë: Individët dhe bizneset do të marrin vlerësime për aspekte të ndryshme të sjelljes së tyre, ku shkojnë, çfarë blejnë dhe kë njohin. Këto vlerësime do të integrohen me një bazë të madhe të dhënash që lidhet jo vetëm me informacionin qeveritar, por edhe më të dhënat e mbledhura nga bizneset private.

Më pas, vlerësimi apo kreditet që një individ ka mund të përdoren për të garantuar ose ndaluar shërbime të caktuara sociale për të, si dhe për të ndaluar mashtruesit që të merren me biznes apo të turpërojnë publikisht ata që shkelin besimin.

Sistemi do të mbikqyrë qeveritë lokale dhe gjykata dhe deri këtu duket mjaft mirë, por pjesa në vazhdim e planit që monitoron sjelljen e njerëzve në internet dhe ndëshkimet për ata që hapin zëra në rrjet, janë ato që e kanë bërë të diskutueshëm.

Kritikët thonë se Kina përpiqet vazhdimisht që të zgjerojë fuqitë e saj mbi jetët e qytetarëve dhe ky sistem kontrolli në internet duket mjeti perfekt për ta bërë këtë.

Top Channel