Policia italiane dhe ajo shqiptare kanë shkatërruar një rrjet të gjerë të trafikut të drogës, ku janë arrestuar 16 persona, dhe janë shpallur në kërkim pesë të tjerë. Në sajë të operacionit të përbashkët “Enigma” uniformat blu kanë arritur të zbulojnë dhe mekanizmin me të cilën funksiononte organizata kriminale.
Sipas autoriteteve grupi kriminal arrinte të shiste 1 ton heroinë në vit, dhe krerët e grupit ishin në Shqipëri. Sipas policisë grupi funksiononte me qeliza, ajo e shpërndarjes në Trento, një qelizë e dytë logjistike në Trento për blerjen dhe transferimin nëpërmjet korrierëve, një grup për pritjen e përpunimin dhe shpërndarjen në Verona.
Struktura funksiononte në mënyrë të tillë që nëse një qelizë do të neutralizohej, organizata do të vazhdonte tregun duke qënë më e vështirë të arrihej në degëzimet vepruese.
Një veçori e kësaj strukture kriminale ishte përdorimi për komunikimin në distancë me kod alfanumerik, prej nga rrjedh dhe emri i operacionit “Enigma”. Këto janë njësoj si kodet që përdoresh nga forcat ushtarake gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Organizata i investonte fitimet në sektorin turistik.
Por sipas medias italiane, krahas lëshimit të 21 urdhër arresteve, në Verona dhe Trento janë sekuestruar 10 milionë euro, 1 ton drogë, si dhe dy rafineri në këto dy qytete. Mediat italiane thekson se organizata ishte e organizuar në celula, si një organizate terroriste.
Policia e Shtetit ka bërë me dije se 26-vjeçari Klevis Sena dhe 31-vjeçari Gentian Meçollari janë dy personat e arrestuar në Tiranë.
Top Channel