Aksioni në “Lagjen e Trimave”, banorët: Duan të na frikësojnë

28/10/2015 16:20

Aksioni policor që u zhvillua mëngjesin e ditës së mërkurë në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, ka rikthyer përsëri frikën tek banorët.

Gjashtë muaj pas luftimeve që shkatërruan këtë vendbanim, forcat e policisë kanë bastisur një shtëpi e cila para incidentit të armatosur ka qenë në pronësi të Riza Jonuzit, emri i të cilit u lakua shumë pas ngjarjeve të 9 dhe 10 majit.

Veprimi i policisë ka revoltuar banorët e lagjes dhe pronarët e rinj të shtëpisë.

“Nuk ka arsyetim tjetër, ata kanë për qëllim ta largojnë prej këtu popullatën shqiptare dhe t’i frikësojnë ata”, është shprehur Qemajl Azemi.

Gjatë bastisjes janë thyer disa dyer të shtëpisë e cila po rindërtohet pasi ishte shkatërruar gjatë luftimeve të 9 dhe 10 majit.

“Ata e kanë parë se askush nuk banon këtu dhe përsëri kanë ardhur dhe kanë thyer. Nuk e shoh të arsyeshme. Ata e shohin se këtu shtëpia është në ndërtim. Këtu nuk ka banorë, kanë ardhur vetëm për të na frikësuar”, ka vazhduar Azemi.

Kreu i bashkësisë lokale në “Lagjen e Trimave”, Shaban Demiri, thotë se policia ka frikësuar banorët që ende nuk e kanë harruar incidentin e armatosur.

“Ne jemi tërë kohën në panik. Fëmijët, gratë, pleqtë ende nuk e bëjnë gjumin të qetë dhe janë të tronditur”, është shprehur Demiri.

Policia përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka kryer kontrolle në disa lokacione në Kumanovë dhe në fshatin Haraçinë të Shkupit, në kërkim të tre personave, të cilët dyshon se kanë ndihmuar pjesëtarët e grupit të armatosur që 6 muaj më parë u përleshën me policinë në Kumanovë. Gjatë bastisjeve, personat e dyshuar nuk janë kapur.

Top Channel