Veliaj inspekton punimet për bulevardin e ri

27/10/2015 11:35

Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet për ndërtimin e bulevardit të ri, i cili do të ketë një park qendror 6 herë më tëë madh se Parku Rinia, si dhe një stacion për transportin urban.

Paralelisht me projektin e ri të zgjatimit të bulevardit, Bashkia e Tiranës do të nisë punimet edhe për ndërtimin e një parkingu me kapacitet 400 vende, i cili do ta kthejë stacionin e vjetër të trenit në një zonë transporti urban qytetas.

“Kemi marrë një vendim që në mes të bulevardit të kemi një park qendror, shumë i ngjashëm me atë që qytetarët kanë parë në Nju Jork ose në qytete të tjera të rëndësishme të botës”, deklaroi Veliaj.

Sipas tij, qytetarët e njësisë numër 11 kanë nevojë që bulevardin, bashkë me zhvillimin dhe urbanizimin që sjell ai, ta shohin edhe si një hapësirë argëtuese e çlodhëse.

Kryebashkiaku falenderoi familjet tiranase, të cilat janë treguar shumë bashkëpunuese për çështjen e shpronësimeve, në mënyrë që puna të ecë më shpejt.

“Ne do të marrim masa që ashtu siç vepruam te Liqeni Artificial, të sistemojmë të gjitha familjet, qofshin këto të komunitetit rom, apo të komuniteteve të tjera, në banesa të ngjashme ose më të mira se ato që kanë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se një tjetër lajm i mirë është edhe rinegocimi i kontratës me fondin Abu Dhabi, që qyteti të mos rëndohet nga interesat financiare, të papërballueshme për financat e bashkisë.

Bashkia e Tiranës së shpejti do të ketë një prezantim të plotë të të gjitha ndryshimeve që i janë bërë projektit të bulevardit të ri, i cili sot quhet projekti i “Parkut Qendror të Tiranës” dhe i “Parkut të Lumit të Tiranës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA