Shfrytëzimi për lypje, pas dënimit të babait, në kërkim edhe nëna

27/10/2015 15:30

Një 38-vjeçare, nënë e gjashtë fëmijëve është në kërkim nga prokuroria për llogari të një procesi penal që e ka atë të pandehur për shkak se ka nxjerrë fëmijët e saj për lypje.

Edhe në seancën e katërt e cila dështoi, prokurorja i kërkoi gjykatës që të njoftojë sërish policinë e Shtetit për të gjetur adresën e Fatmira Jonuzit nën akuzë për keqtrajtim të të miturve.

Sipas prokurorisë insitucionet janë vënë në dijeni nga shkolla “7 marsi” ku ishte nxënëse njëra nga vajzat e të pandehurës. Fëmija e moshës 10 vjeç ka ndërprerë ndjekjen e shkollës nga shtatori 2014 deri në mars 2015 dhe pas interesimit të mësuesve Fatmira Jonuzi është shprehur se vajzën e ka larguar për shkaqe ekonomike. E pandehura, e cila sipas prokurorisë e ka keqtrajtuar të bijën për të lypur, është bashkëshortja e shtetasit Fatmir Jonuzit, i dënuar me dy vjet burg po për keqtrajtim të të miturve, pasi i detyronte fëmijët e tij të lypnin.

Të pyetur nga prokuroria, Fatmira Jonuzi ka deklaruar se ajo nuk kishte asnjë mundësi ekonomike për të jetuar pasi edhe bashkëshorti i saj ndodhet i dënuar. “Unë kam gjashtë fëmijë”, është shprehur gruaja “dhe duhet që të mblidhja gjithë ditën kanaçe për t’i rritur”. E ndërsa gruaja është në kërkim dhe i shoqi në burg, fëmijët i janë dorëzuar një qendre për tu kujdesur për ta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA