PD: 86 mln dollarë korrupsion me hemodializën

27/10/2015 14:05

Deputetja e PD, Albina Deda ka përsëritur akuzat për korrupsion në adresë të kryeministrit Rama dhe ministrit të Shëndetësisë Beqja, aferat e të cilëve sipas saj kanë arritur në një shkallë të paimagjinueshme.

“Skandalet dhe shkalla e paimagjinueshme e korrupsionit në shëndetësi, me konçesionet dhe tenderat e dyshes Rama-Beqja thellohen çdo ditë. Me urdhër të Edi Ramës, konçesioni 10-vjeçar i hemodializës, me vlerë 86 milionë dollarë në vit, i është dhënë një kompanie fantazmë, pa zyrë e pa përvojë në këtë drejtim”, ka denoncuar Deda.

Ajo ka akuzuar kryeministrin Rama se, nuk do t’ia dijë për veshkat apo shqetësimet shëndetësore të njerëzve, por niset vetëm nga një qëllim: biznesi.

“Para të thata për të ndarë, 86 milionë dollarë që jepen me fitues të paracaktuar. Këtu kemi arritur, e keqja nuk ka asnjë kufi. Këto janë aktet e kryeministrit më të korruptuar në Ballkan, që sipas raportit të punës së OSBE, gëzon 200 milionë euro pasuri”, ka thënë më tej Deda.

“Pasi u mori paratë, pasi u mori shpresën, i kalli në mjerim e skamje, tani Edi Rama po u merr shqiptarëve edhe veshkat. Çfarë duhet të presim më nga ky regjim i korruptuar”, ka shtuar ajo.

Top Channel