Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi ka akuzuar opozitën ,e cila sipas tij, po rrezikon të ardhmen e qytetarëve duke bllokuar Kuvendin.
“Cënimi i institucioneve të Kosovës nga ana e opozitës ka filluar të gërryejë imazhin tonë pozitiv që me aq mund po e ndërtojmë. Një numër i marrëveshjeve ndërkombëtare, ndër të cilat edhe asistencë ndërkombëtare për Kosovën, janë duke rrezikuar të humbin për shkak se po vonojnë të miratohen në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.
Sipas tij, si pasojë e bllokimi të Kuvendit nga opozita, vendi rrezikon projekte ndërkombëtare për të përmirësuar furnizimin me ujë në rajonin e Vushtrrisë e më gjerë, një milion euro për shëndetësinë kosovare, miliona të tjerë në formë të asistencës ndërkombëtare për projekte në fushën e sundimit të ligjit dhe qeverisjes, apo për rritjen e investimeve dhe për sektorin privat.
“Pengimi i punës së Kuvendit të Kosovës më së shumti po prek vetë qytetarët e Kosovës, mirëqenien dhe të ardhmen e tyre. Qytetarët e Kosovës nuk meritojnë një opozitë të tillë”, ka shkruar Thaçi.
Top Channel