Marrëveshjet me Serbinë, opozita: Nuk do ndalim aksionin

25/10/2015 16:55

Përfaqësues të tri partive opozitare në Kosovë, të dielën në konferencë për media komentuan seancën plenare të së premtes.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, Donika Kadaj- Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Haxhi Shala nga Nisma për Kosovën, thanë se nuk do të ndalen me veprimet e tyre për të kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë. Ata shtuan se do të përdorin edhe veprime tjera, çfarëdo të jenë të nevojshme për të mos lejuar zbatimin e atyre marrëveshjeve.

Shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca tha se kanë argumente të qëndrueshme që projekti i “Zajednices” të krijojë një etnitet territorial brenda Kosovës, është projekt i Serbisë.

“Nuk po garantoj që këto metoda janë më të pëlqyeshmet dhe që duken mirë, por po u garantoj që deri tani kanë pasur sukses dhe deri tani e kanë ndalë “Zajednicën”. Nëse është e nevojshme që të përdorim edhe diçka tjetër që të ndalim “Zajednicën” plotësisht, ne do të jemi të gatshëm, pavarësisht a është estetike apo a është e pëlqyeshme”, tha Konjufca.

Ai tha se pushteti me futjen e policisë në Kuvend po e dërgon vendin drejtë një faze të re politike, ku vetëm forca vlen.

Ndërsa lidhur me fjalorin e përdorur nga Kryetari Kuvendit Kadri Veselin, Konjufca tha se e gjithë koha sa ai ishte tolerant nga pozita e kryeparlamentarit ka qenë veç një aktrim i tij, që mori fund të premten me fjalët e tij drejtuar deputetes Albulenë Haxhiu.

Lidhur me këtë, Haxhi Shala nga radhët e Nismës për Kosovën, tha se Veseli duhet të jap dorëheqje.

“Këtë vit kanë qenë dy ofendime për gjininë femërore, për nënat tona, motrat tona, për gratë tona. Njëri ka qenë prej Jabllanoviçit, i cili ka pësuar me dorëheqje, por me protestë. Kështu që i bëj apel kryetarit të Kuvendit, të bëjë një gjest moral, me veprimet e tij, me fjalorin e tij, të tërhiqet, të jap dorëheqje, të jep shembull se si duhet të jetë një udhëheqës”, tha Haxhi Shala, deputet, Nisma për Kosovën.

Ndërsa, shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi tha se seanca e së premtes ka qenë jo-legjitime, në kundërshtim me normat kushtetuese dhe rregulloren e Kuvendit.

“Vendosën që natën dhe si minjtë të ikin në një vrimë, duke de-legjitimuar kështu Kuvendin, përfaqësuesit, duke ofruar më shumë se 100 policë në këtë Kuvend. Ajo seancë është një seancë klandestine, e cila do të mbahet mend”, tha ajo.

Shefja e grupit parlamentar të AAK-së shtoi se me veprimet e bëra të premten, pozita ka filluar zhbërjen e shtetit të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA