LSI, thirrje për konsensus. PD, mos ta zvarrisë dekriminalizimin

25/10/2015 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim ka ulur ndjeshëm tonet kritike ndaj aleatit më të madh, Partisë Socialiste. Pas takimit të punës të premten, mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, drejtuesit e lartë të LSI-së, që ishin pjesë të takimit, përdorën fjalë si unifikim e koordinim, të munguara gjatë muajve të fundit, kur flitej për koalicionin qeveritar.

Me këto fjalë, kryetari i grupit parlamentar, Petrit Vasili përshkroi qëndrimin e LSI-së për reformën në drejtësi.

“Ka një qëndrim të unifikuar dhe sinkron të mazhorancës lidhur me këtë çështje. Për ne, reforma në drejtësi është çështje madhore. Përsa i takon mazhorancës është një koordinim që ecën në rrugën e duhur, pasi ka një koordinim mjaft të mirë të saj lidhur me këtë çështje”, tha Petrit Vasili.

LSI e sheh paketën e ndryshimeve kushtetuese vetëm si draftin e parë, mbi të cilin mund të punohet pa e politizuar diskutimin. Kur foli për konsensus, Ylli Manjani, i ngarkuar nga Kryesia e LSI-së si zëdhënës për reformën në drejtësi, nuk dukej se konsensusin e kërkonte vetëm  tek opozita.

“Është nevoja për një debat të gjerë publik për të gjitha këto tema dhe, së dyti, nevoja për një konsensus. Besojmë dhe jemi të bindur në këtë pikë, që propozimet e bëra deri më tani do të përmirësohen dhe do të shëndoshen edhe më mirë, nëse i nënshtrohen një debati publik. Kjo është shumë më e rëndësishme nëse e kuptojmë si të tillë, sesa ta politizojmë sipas pozicioneve tona politike”, tha Ylli Manjani.

Si qëndrim të politizuar, LSI cilësoi atë të Partisë Demokratike për dekriminalizimin. Dhe të dy drejtuesit e LSI-së folën për zvarritje të çështjes.

“Sigurisht ka elementë, të cilat përgjithësisht Partia Demokratike kërkon t’i politizojë. Është legjitime, natyrisht, në interesin e saj politik, por ne nuk mund të presim pafundësisht duke lënë zvarrë axhendën e shtetit për interesa të parëndësishme. Në këtë pikëpamje, qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe mbetet i tillë. Të kërkojmë të gjitha mundësitë për konsensus dhe të shkojmë drejt një vendimmarrje sa më konsensuale”, tha Ylli Manjani.

“Nuk është më koha për të fituar dhe për të luajtur me takticizmin politik, në mënyrë të veçantë nga ana e opozitës. Është momenti për të përmbyllur me mirëkuptim të gjerë politik këtë çështje”, tha më tej Vasili.

Petrit Vasili i dha një shpjegim zyrtar edhe togfjalëshit “impulse qeverisëse”, që nuk nënkuptojnë ndryshime në qeveri.

“Qeverisja ka gjithnjë nevojë për impulse. Aksioni kundër informalitetit është një i tillë. Të gjitha ndryshimet legjislative që bëhen apo projektet e mëdha që miratohen në sallën e Parlamentit janë impulse, dhe për të tilla impulse qeveria ka gjithnjë nevojë, ndaj dhe po vijnë”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të LSI-së.

Top Channel