Rama, të dielën në minisamitin evropian; në fokus kriza e refugjatëve

24/10/2015 20:40

Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë të diellën në Bruksel në minisamitin europian dhe më pas pritet të vijojë vizitën e tij zyrtare të parashikuar për në Hong Kong.

Shqipëria, Holanda dhe Suedia u shtuan të premten pasdite në listën e vendeve pjesëmarrëse të Korridorit Ballkanik, meqënëse këto tre shtete konsiderohen si “potenciale” për rrugën e refugjatëve.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker bëri thirrje të mërkurën e kaluar për një mbledhje urgjente të udhëheqësve të atyre shteteve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor që preken nga fluksi i emigrantëve.

Sipas njoftimit zyrtar, tryeza e nivelit të lartë ka për “qëllim të përmirësojë bashkëpunimin dhe të rrisë konsultimet mes vendeve pjesëmarrëse”, sidomos mes Sllovenisë, Kroacisë dhe Hungarisë.

Ky samit pritet të vendosë për disa “masa pragmatike operacionale që mund të zbatohen në mënyrë të menjëhershme për të trajtuar krizën e refugjatëve në këtë rajon”.

“Javët e fundit kanë treguar se kjo sfidë nuk do të zgjidhet përmes veprimeve kombëtare”, sipas Komisionit dhe “suksesi mund të arrihet vetëm me anë të qasjes kolektive, ndërkufitare”.

Takimi pritet të nisë rreth orës 17 të së dielës dhe përveç Shqipërisë konfirmohet pjesëmarrja e nivelit të lartë nga Austria, Gjermania, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Sllovenia, Serbia, Maqedonia dhe Greqia.

Gjithashtu do të jetë presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, komisioneri i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe përfaqësuesit e agjencisë Frontex dhe Zyrës Mbështetëse Europiane për Azilin.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA