Policia e Durrësit aksion në lokalet e natës, shoqërohen 38 persona

24/10/2015 10:50

Pas një aksioni në lokalet e natës në qytetin e Durrësit policia ka arrestuar një person dhe ka shoqëruar 38 të tjerë. Burime zyrtare bëjnë të ditur se janë ushtruar kontrolle në 7 lokale të Durrësit dhe Shijakut, të evidentuara si më problematiket.

Në një prej këtyre lokaleve, policia ka vënë në pranga Gëzim Aleksin, 39 vjeç, pasi i është gjetur një pistoletë tip jugosllav, dhe një krehër me 7 fishekë. Policia bën të ditur se Aleksi në vitin 1998 është dënuar me 25 vite burg për rrëmbim personi, vjedhje me dhunë, dhe krim kundër jetës, dhe është liruar në fillim të 2015-tës.

Si rezultat i këtij aksioni në komisariatin e Durrësit janë shoqëruar 22 persona, 15 prej të cilëve janë balerina. Ndërsa në komisariatin e Shijakut janë shoqëruar 16 persona, 4 prej tyre balerina.

Policia bën të ditur se kontrolle të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me qëllim arrestimin e kontigjentëve kriminalë dhe parandalimin e prishjes së rendit dhe të qetësisë publike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA