Të premten, Partia Demokratike nisi denoncimi e një tenderi, ku akuzonte qeverinë për shpenzime luksi në kulmin e krizës ekonomike.
Edmond Spaho deklaroi vetëm se kabineti qeveritar po shpenzonte për luks, duke blerë automjete të markës “Jaguar”, por pa paraqitur asnjë fakt apo emër. Një ditë më vonë, ishte deputetja Albana Vokshi ajo që doli me emra konkretë lidhur me këtë pretendim të opozitës dhe nuk foli vetëm për shpenzime luksi, por edhe për korrupsion.
“Luksi qeveritar në kulmin e krizës ekonomike në vend, me marrjen e makinave Jaguar për ministrat, shoqërohet po ashtu me korrupsion. Është një aferë e pastër, sepse që nga përcaktimi i markës së makinës “Jaguar”, e deri tek lloji i saj më i fundit, të gjitha këto të shkruara e zeza mbi të bardhë, tregojnë se Edi Rama ka vendosur t’i marrë mjetet e shtrenjta tek miku i tij Agron Papuli”, tha Vokshi.
Vokshi paraqiti para mediave një dokument, sipas saj qeveritar, ku përcaktohej lloji i makinës dhe vendi i marrjes së saj i detyruar.
“Dokumenti qeveritar që përcakton llojin e makinës, detyrimisht dhe vendin ku duhet marrë, pasi dihet se këto automjete në Shqipëri i ka koncesionari i Agron Papulit, mikut të Edi Ramës”, shtoi deputetja demokrate.
Sipas opozitës, ky është rasti i vetëm në botë, ku përcaktohet nga Kryeministri që në fillim lloji i makinës dhe dyqani ku duhet marrë.
“Siç po ndodh në çdo tender, ku fituesi është i paracaktuar, ku nuk ka garë e asnjë përpjekje për të kursyer paratë e shqiptarëve; ka vetëm një skemë të ftohtë kriminale të Edi Ramës dhe ministrave të tij, për të mbushur thesin e për tu pasuruar sa më shpejt”, shtoi Vokshi.
Deputetja demokrate mbyll deklaratën me thirrjen “për të ndalur bandën e hajdutëve, që sa më shumë varfërojnë shqiptarët, aq më shumë shtojnë luksin e tyre”.
Top Channel