400 gr tritol janë gjetur mëngjesin e së shtunës në verandën e një restoranti pranë pallatit me shigjeta në Tiranë. Lënda eksplozive u gjet nga një nga punonjësit e restorantit, të cilët po përgatiteshin për të nisur punën e përditshme.
Punonjësit pasi kanë konstatuar eksplozivin që ishte mbështjellë me një qese kanë lajmëruar pronarin dhe policinë. Kjo e fundit e mbërritur në vendngjarje, ka rrethuar perimetrin e sigurisë të zonës përreth, ndërsa ekspertët e xhenios kanë hapur qesen, ku konstatuan rreth 400 gr lëndë eksplozive e llojit tritol.
Lënda shpërthyese, sipas policise nuk ishte e lidhur me asnjë lloj mekanizmi që mund të aktivizonte shpërthimin. Policia ka marrë në pyetje pronarin e lokalit, Shpetim Osmani, i cili mësohet të ketë deklaruar se nuk ka asnjë konflikt apo person të dyshuar që mund t’i bëjë këtë lloj kërcënimi.
Sakaq burimet policore kanë bërë të ditur se lënda eksplozive e vendosur në verandën e lokalit, mund të jetë edhe ndonjë mesazh kërcënues, ndërsa grupi hetimor i ngritur për këtë rast po vijon punën për zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij veprimi.
Top Channel