Partitë opozitare në Kosovë e kanë quajtur fitore të tyre pengimin e zhvillimit të seancës parlamentare në sallën kryesore të Kuvendit, ndërsa vazhdimin e saj në sallën e improvizuar e kanë cilësuar të paligjshme.
Liderët e dy partive opozitare kanë mbajtur konferenca të ndara në selitë e tyre, ku kanë konfirmuar se do të vazhdojnë bllokimin e Kuvendit dhe protestat. Ata kanë shkuar më tej kur kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa.
“Protesta jonë do të vazhdojë. Kuvendi i Republikës asnjëherë nuk do të bëhet mekanizëm për kontrabandim të Zajednicës e as mekanizëm për shpëlarjen e të palarave të qeverisë. Ashtu siç rezistuam mbrëmë dhe siç e detyruam koalicionin e skutave të ikin nga Kuvendi, ashtu do të vazhdojmë protestën edhe në të ardhmen. Republika e Kosovës as nuk e pranon e as nuk e duron Zajednicën”, deklaroi Visar Ymeri nga Vetëvendosje.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partitë e tjera opozitare, meqenëse nuk shohin reflektim nga qeveria, por shohin përpjekje të saj për të disiplinur opozitën, qoftë edhe përmes policisë siç ndohi dje në Parlament, do të vazhdojnë përballjen deri në tërheqjen nga këto marrëveshje, ose deri në dorëheqjen e kësaj qeverie”, tha Ramush Haradinaj nga AAK.
Për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, ku u fut policia dhe deri tek vendimi për mbajtjen e seancës në një sallë alternative, të shtunën ka lëshuar një komunikatë për media edhe Kryesia e Kuvendit.
Sipas komunikatës, Kryesia ka marrë vendim për lejimin e hyrjes së policëve në sallë, duke u bazuar në cënimin e sigurisë dhe shëndetit të deputetëve.
Vendimi i Kryesisë, sipas komunikatës, është bazuar nenin 67.6 të Kushtetutës dhe nenin 41, paragrafi 4 i Rregullores së Punës së Kuvendit.
Ndërsa vazhdimi i seancës në sallën tjetër është bërë mbi bazën e nenit 4 të Rregullores dhe për shkak të dëmtimit të gjashtë mikrofonëve nga deputetët e opozitës në sallën kryesore të seancave.
Ashpër ka reaguar ndërkohë ndaj ngjarjeve në Kuvend presidentja Atifete Jahjaga, duke shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e situatës.
Përmes një komunikate për media, Jahjaga u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të heqin dorë nga dhuna, pasi sipas saj, këto veprime po dëmtojnë rendin demokratik.
Top Channel