Xhafaj nuk shkon në Venecia: Për reformën do të flasin ekspertët

23/10/2015 19:35

Përkundër nga sa u tha në media dhe përkundër ftesës zyrtare, kryetari i komisionit për reformën në drejtësi nuk do të marrë pjesë në sesionin plenar të Komisionit të Venecias.

Zoti Fatmir Xhafaj i është drejtuar presidentit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio me një letër ku i shpjegon arsyet e mospjesëmarrjes së tij.

Duke vlerësuar maksimalisht ftesën dhe mundësinë për të shpjeguar nismën e rëndësishme të reformës në drejtësi që po ndërmerr Shqipëria, zoti Xhafaj thotë se kjo reformë është konceptuar si një reformë e ekëpertëve dhe profesionistëve të fushës së drejtësisë.

“Drafti për ndryshimet kushtetuese që i është përcjellë për opinion Komisionit të Venecias është pikërisht fryt i punës së grupit të ekspertëve të nivelit të lartë pranë komisionit të reformës në drejtësi. Ndaj, fjala në Komisionin e Venecias iu takon atyre”, sqaron zoti Xhafaj.

Këtij argumenti kryetari i komisionit të reformës në drejtësi i shton një të dytë. Atë të shmangies së politizimit.

“Kjo është një reformë e thellë që synon ndryshime thelbësore në organizimin dhe funksionimin e institucioneve aktuale të sistemit dhe është normale që rreth saj të jenë prezente debatet dhe kundërshtitë rreth tyre. Dëshiroj ta shoh mospjesëmarrjen time në atë tryezë të nderuar si një kontribut shtesë për të shmangur në këtë mënyrë çfarëdo lloj insinuate që do të politizonte apo do të përdorej për të cënuar vlerat e larta, paanshmërinë dhe profesionalizmin e kësaj reforme jetike për të ardhmen e vendit tim”, nënvizon Xhafaj në letër.

Ekspertët, të cilet do të prezantojnë draftreformën e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë në Komisionin e Venecias janë: Kristaq Traja, Aurela Anastasi, Genti Ibrahimi, Arta Vorpsi, Rainer Deville (shef i misionit EURALIUS) dhe Jon Smibert (këshilltar ligjor i misionit OPDAT të SHBA në Shqipëri).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA