Rama-Meta, takim për reformat; debat publik për drejtësinë, konsensus me opozitën

23/10/2015 11:30

Intensifikimi i mirëfunksionimit të koalicionit dhe padyshim, korrigjimi i gabimeve të deritanishme të qeverisjes së majtë, gjatë këtyre dy vite e më shumë në pushtet, krahas reformës në drejtësi përfshi dekriminalizimin, ishin çështjet e diskutuara nga Edi Rama dhe Ilir Meta, në një takim 100-minutësh në rezidencën qeveritare në Tiranë.

Rama dhe Meta ishin të shoqëruar nga ministrat Saimir Tahiri dhe Nasip Naço, përfshi Gramoz Ruçin, Fatmir Xhafajn, Petrit Vasilin dhe nënkryetarin e LSI-së, Ylli Manjani, si dhe sekretarin e përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaci.

Top Channel ka mësuar nga një burim brenda mbledhjes se, Edi Rama dhe Ilir Meta janë dakordësuar për krijimin e një njësie koordinimi të koalicionit, me qëllim rritjen e nivelit të bashkëpunimit në funksion të reformave të mazhorancës, përfshi edhe çështje të tjera.

Kjo mbledhje ka prodhuar vetëm dakordësinë e aleatëve të koalicionit qeverisës, Rama dhe Meta, por nuk është vendosur ende se kush do ta drejtojë këtë njësi. Pikërisht kjo nismë ka kërkuar një format ndryshe, nga takimet kokë më kokë Rama-Meta.

Gjithashtu Top Channel ka mësuar se, ato që kanë marrë shumicën e kohës në diskutimet mes aleatëve kanë qenë reforma në drejtësi dhe çështja e dekriminalizimit.

Lidhur me reformën në drejtësi, nga Partia Socialiste është kërkuar që koalicioni të dalë me një qëndrim, ndërsa LSI ka kërkuar që të ketë diskutime dhe pse jo, edhe korrigjime.

Për këtë arsye është folur për nevojën e një debati publik, i cili duhet të orientohet nga çështje konkrete që prekin qytetarët.

Në të njëjtën kohë, reforma prek edhe ndryshimet kushtetuese, prandaj nevojitet që të ketë një qasje për konsensus edhe me opozitën, si dhe shqyrtim serioz të propozimeve të saj për reformën.

Burimet i thanë Top Channel se takimi ishte i nevojshëm, ndërsa atmosferën e dy udhëheqësve Rama-Meta e përshkruan si mjaft konstruktive.

“Nuk ka qënë ndonjë takim i jashtëzakonshëm, një kafe normale pune”, tha Meta.

“Takim normal midis përfaqësuesve të koalicionit qeverisës, mbledhje pune për gjithë planin e reformave. Besoj se nuk kishte ndonjë të vrenjtur, të gjithë të lumtur”, u shpreh për mediat Gramoz Ruçi.

Megjithëse Meta e quajti një takim jo të jashtëzakonshëm, ai vijon t’i qëndrojë besnik mendimit të zakonshëm të kohëve të fundit, se qeverisë i duhen impulse të reja.

“Impulset duhen në çdo moment”, tha Meta.

Meta dhe Ruçi ishin në sinkron, kur deklaruan se nuk ka arsye për vonesa në miratimin e ligjit për dekriminalizimin.

“Ka qënë vetë PD që e ka anashkaluar komisionin përmes propozimit të drejt për drejtë që bëri në Parlament. Është një ide gjithmonë e mirëpritur, që të marrë një rol të rëndësishëm ky komision dhe zoti Bylykbashi dhe zoti Balla, të mblidhen sa më shpejt, sepse pothuajse gjithçka është rënë dakord dhe nuk po kuptoj pse po vonohet mbyllja e procesit të dekriminalizimit”, tha Meta.

“Pikërisht një nga temat e diskutimit ishin që përfaqësuesit tanë në komisionin ad hoc të shpejtojnë punën, dhe a ka mundësi brenda javës të miratohet ligji për dekriminalizimin”, u shpreh Ruçi.

Ky takim, i pari i këtij lloji pas fitores së koalicionit të majtë në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, u zhvillua pak përpara nisjes së Ramës për një vizitë zyrtare në Hong Kong, ku do të marrë pjesë në një forum ekonomik, dhe kreut të Kuvendit Meta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, paraditen e së shtunës, me ftesë të Kongresit amerikan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA