Grupi i punës në PS për koordinimin dhe organizimin e zgjedhjeve të 2017-s, për më shumë se 3 orë ka raportuar përpara kryetarit Rama dhe kreut të grupit parlamentar Ruçi për punën e deritanishme në bazë.
Të 6 koordinatorët, Taulant Balla, Blendi Klosi, Lindita Nikolla, Saimir Tahiri, Ditmir Bushati dhe Koço Kokëdhima, nëpërmjet grafikëve në PowerPoint kanë prezantuar situatën në rajonet që mbulojnë.
Secili prej tyre ka shpalosur specifikat sipas rajoneve, ku një fokus të posaçëm ka qenë analiza e punës së shtabeve elektorale në zgjedhjet e shkuara dhe se çfarë duhet përmirësuar.
Një burim nga kjo mbledhje pohoi për Top-Channel se idetë e shprehura nga deputeti Kokëdhima, që lidhen me shtyrjen e Kongresit, nuk janë aprovuar.
I njëjti burim theksoi se të gjithë anëtarët e këtij grupi pune shprehën mendimin kolegjal se duhet të respektohen vendimet e Asamblesë së Përgjithëshme të PS, përfshirë zbatimin e tyre.
Kryetari i PS, Edi Rama nuk preferoi të jepte detaje nga mbledhja, pavarësisht se interesi publik është i lartë për vetë faktin se PS është partia më e madhe qeverisëse në vend.
Ndërsa koordinatori për rajonin e jugut, Koço Kokëdhima, pyetjeve të gazetarëve iu përgjigj me pyetje.
Top Channel