
Të premten në Prishtinë u përurua godina e re e Spitalit Amerikan, gjë që i sjell shërbimet e këtij spitali nga periferia, brenda në kryeqytetin kosovar.
Ndërtesa e re trikatëshe, projektuar sipas standardeve dhe teknologjisë së fundit, kap vlerën totale të investimit prej 20 milionë eurosh, e do të ketë 330 punonjës, prej të cilëve 314 shtetas të Kosovës, 9 nga Shqipëria dhe 7 nga vende të tjera.
“Në një shtet që ka nevojë dhe promovon publikisht investimet e huaja, udhëtimi për të hapur këtë spital ishte plot me të papritura dhe i vështirë pa dyshim. Ndaj, u jemi mirënjohës atyre që qëndruan krah për krah me ne. Spitali Amerikan ka shërbyer në sektorin privat të kujdesit shëndetësor në Prishtinë që nga viti 2012. I kemi shërbyer rreth 15 mijë pacientëve dhe janë kryer mbi 5000 ndërhyrje të suksesshme kirurgjikale”, tha Ronald Draje, kryetar i grupit investitor të spitaleve amerikane.
“Hapja e këtij objekti është një hap shumë i madh në drejtim të ofrimit të kujdesit privat shëndetësor në Kosovë. Kjo është një histori e suksesshme e investimeve amerikane. Ky investim në sektorin privat, me të vërtetë është një ndër mënyrat më efikase për sjelljen e burimeve financiare, teknologjisë dhe aftësive menaxheriale, që nevojiten për rritjen e biznesit dhe zhvillimin e ekonomisë”, tha Greg Delaëie, ambasador i SHBA-ve në Kosovë.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se, investime të tilla ndihmojnë në reformimin e sistemit shëndetësor në vend.
“Kjo e sotma është një ditë me rëndësi, sepse jam i bindur që në rrugën e gjatë të reformimit dhe të plotësimit, modernizimit të sistemit tonë shëndetësor, kjo ditë është një histori suksesi”, tha Imet Rrahmani, ministër i Shëndetësisë në Kosovë.
Kosova ka avancuar shumë në krijimin e bazës ligjore, e cila mundëson veprimtari si publike edhe private, mundëson zhvillimin edhe të partneritetit publik-privat dhe mbi të gjitha mundëson që të hapen rrugë dhe mundësi të reja për marrjen e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e vendit.
Spitali Amerikan në Prishtinë ofron të gjitha shërbimet shëndetësore gjatë 24 orëve, përfshi Kardiokirurgjinë, Kardiologjinë, Kirurgjinë, Ortopedinë, Gjinekologjinë me Obstetrikë, Pediatrinë me Neonatologji, Urologjinë, ORL-në, Urgjencën 24 orë, si dhe të gjitha shërbimet mbështetëse 7 ditë në javë.
Në ceremoninë e përurimit, të pranishëm ishin edhe nënkryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Shpëtim Idrizi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, e personalitete të tjera diplomatike dhe të fushës së shëndetësisë.
Top Channel