Çadrat e bardha u bënë simbol i shoqërisë civile në Kosovë për të kërkuar nga aktorët politikë t’i ulin tensionet dhe të gjejnë një zgjidhje për situatën politike të krijuar në vend.
Përfaqësuesi i këtij organizimi, Ismet Kryeziu, fillimisht kërkoi që seanca parlamentare e caktuar për këtë të premtë të anulohet. Ai shtoi se palët duhet të gjejnë kompromisin e nevojshëm në tavolinën e bisedimeve: “Ne jemi në përkrahje të Presidentes, e cila ka filluar ndërmjetësimin për dialogun partiak. Mendojmë që thirrja e seancës nuk është në shërbim të dialogut politik, prandaj, përmes këtij mesazhi, ne kërkojmë që kjo seancë të shtyhet, për t’i dhënë mundësi Presidentes të zhvillojë dialogun. Mendojmë që zgjidhja e vetme për dalje nga situata është dialogu politik mes subjekteve politike”.
Bashkë me parullat që ftojnë për paqe dhe kundër dhunës, marshit paqësor iu bashkuan edhe gazetarë të mediave vendore dhe qytetarë të tjerë. Bekim Kupina, gazetar i “Koha Ditore”, deklaroi: “Kjo është një tentativë minimale për ta çtensionuar situatën edhe nëpërmjet një marshi për paqe dhe tani mbetet në ndërgjegjen e deputetëve që të gjykojnë racionalisht dhe të veprojnë konform asaj se çfarë është më e dobishme në favor të të gjithë qytetaërve të Kosovës”.
Sa iu përket qytetarëve, ata thonë se janë të lodhur nga çdo skenë që tregon mospajtimin mes politikanëve, duke kërkuar kështu bashkimin e tyre në këtë fazë që ndodhet Kosova.
Shoqëria civile në Kosovë edhe më herët ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që të mos ftojë deputetët në seancë parlamentare deri në gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për palët.
Top Channel