Në përpjekje për të vendosur në rrugën e ligjshmërisë gjithë sipërmarrjen vendase, qeveria ka kaluar një sërë masash që ashpërsojnë penalitetet për sipërmarrësit që kapen në shkelje.
Këto masa, që qeveria u njeh efektet negative, por që sipas saj janë efekte afatshkurtra, janë kritikuar nga një pjesë e mira e ekonomistëve dhe vetë sipërmarrësit, që i bëjnë fajtore për mbajtjen në stanjacion të aktivitetit ekonomik.
Por çfarë po ndodh me ekonominë? Cilat janë në të vërtetë efektet e reformave të qeverisë dhe a është ekonomia shqiptare në rrugën e duhur? Këtyre dhe të tjera pyetjeve u dhanë përgjigje të ftuarit e kësaj të enjteje në Top Story me Sokol Ballën në një temë kushtuar tërësisht reformave dhe ekonomisë.
Në panel ishin të ftuar Ardian Civici, ekspert i ekonomisë, Nikolin Jaka kryetar i Dhomës së Tregtisë, Fatos Çoçoli ekspert i ekonomisë, Arben Malaj ish-ministër i Financave, Klodian Tomorri, gazetar ekonomie në Top Channel dhe analisti Shpëtim Nazarko.
I pari që mori fjalën ishte Ardian Civici. Ai tha se zgjedhjet në Shqipëri fitohen dhe humben nga ekonomia.
“Qeveria e fundit me ekonominë fitoi zgjedhjet, me 300 mijë vendet e punës, me rritjen ekonomike, rritjen e punësimit. Por pas zgjedhjeve e harruara e madhe është pikërisht ekonomia dhe problemet kthehen në rutinë. Ekonomia ka hyrë në një ngërç dhe përgjigjia që ne kërkojmë të gjithë është sesa është në shërbim të qytetarëve kjo ekonomi? Jo në shërbim të përqindjes së rritjes së përgjithshme”, tha Civici, duke shtuar se qëllimi i reformave nuk duhet të jetë prodhimi i eksodit, por të japin shpresë.
Shpëtim Nazarko interpreton aktualitetin politik brenda mazhorancës me realitetin ekonomik. “Sot është biznesi i madh kërkon që të ndryshojë qeverisjen e vendit. Ata sot janë të falimentuar sepse nuk plotësohet kërkesë-oferta”, tha ai.
Sot në buxhetin e shtetit është një gropë prej 135 milionë eurosh nga mosrealizimi i të ardhurave në krahasim me parashikimin fillestar të qeverisë. Opozita fajëson për këtë korrupsionin, ndërsa qeveria ka të tjera arsye, jashtë saj.
Për Nikolin Jakën mungon një modeli i mirëfilltë i orientimit të sipërmarrjes private dhe një strategji e qartë nga ana e qeverive shqiptare, ndërsa Civici tha se nuk duhet të flitet më për përmirësim të klimës së biznesit, por për konsolidim të tij.
“Ne flasim për përmirësim të klimës së biznesit, por nuk kemi asnjë strategji të qartë për konsolidimin e biznesit, përveç xhelozisë që krijohet kur një biznes ecën përpara. Kemi nevojë të konsolidojmë biznesin e madh shqiptar”, tha ai.
Arben Malaj kundërshtoi idenë e orientimit të sipërmarrjes private. Në vend të kësaj ai tha se detyra e qeverisë është krijimi i themeleve të rritjes së biznesit.
“Qeveria ka për detyrë të krijojë themelet e rritjes së biznesit duke zgjidhur çështjen e pronësisë, drejtësinë, ndërsa riskun duhet ta ndërmarrë biznesi vetë”, tha Malaj.
Sa i përket mosrealizimit të të ardhurave, Malaj e cilësoi jorealist parashikimin fillestar të qeverisë.
“Qeveria bëri një veprim të mençur kur pranoi që kishte bërë një parashikim të gabuar. Nuk ka mundësi që biznesi shqiptar në një situatë krize të ushqejë buxhetin me atë shifër të madhe”, tha ai.
Përkundër asaj që deklaroi kryeministri në Top Story pak javë më parë mbi faktorët që sollën mosrealizimin e të ardhurave, që sipas tij ishin disa që lidheshin me rënien e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, inflacionin, uljen e çmimit të mineraleve e të tjera, Malaj gjen faj edhe tek qeveria.
“Qeveria ka përgjegjësinë e saj. Faktorët që thotë kryeministri në të vërtetë gjallërojnë ekonominë sepse me politikat monetare nuk kemi ç’të bëjmë më. Unë jam habitur që në legjislacionin e ri, ndryshimet në Kodin Penal e vrasin sipërmarrjen. Kur biznesi është në vështirësi nuk është koha për të ndërmarrë reforma të forta. Gjetëm shpikje që penalizojnë biznesin fort. Mbledhja e të ardhurave nuk është shkaku, është pasojë e rënies së aktivitetit ekonomik. Nuk mund të kërkojmë me zor t’i marrim lekët biznesit”, tha ish-ministri i Financave.
Malaj propozoi rritje të punësimit falë investimeve publike, por kjo u kundërshtua nga eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli, i cili vlerësoi si zgjidhje të vetme aksionin për formalizimin e ekonomisë dhe kuponin tatimor tek biznesi i vogël për të zbuluar evazorët e mëdhenj.
“Nuk mund të varemi nga punësimi publik. Kjo ekonomi është në kapsllëk dhe biznesi sot ndjehet keq, sidomos ai i konsoliduar. Kemi biznese që bëjnë evazion sa të duash sot dhe duhet të gjejmë zgjidhje, të gjejmë zgjidhje përmes atij që unë e quaj mbret, që është kuponi. Kuponi nënkupton që del lakuriq e gjithë skema evazive, e korruptuar dhe plot klientelizëm brenda. Në rast se do të vazhdojë, kuponi nxjerr të gjithë infrastrukurën duke nisur që nga doganat, sepse jemi një vend që importojmë shumë dhe ky import del lakuriq me evazorët e vet”, tha ai.
Në një raport të fundit, Banka Botërore thotë se varfëria ekstreme në Shqipëri u rrit me 183 përqind, duke shkuar nga 10 mijë në mbi 30 mijë nga viti 2008 në vitin 2012. Ky shqetësim u ngrit edhe nga Avokati i Popullit që kërkoi nga autoritetet të mundësojnë të dhëna sesa përqind e klasës së mesme po rrëshket drejt varfërisë.
Ekspertët në studio deklaruan se me reformat aktuale, raporti për 2012 mund të jetë përkeqësuar edhe më tej, madje Civici tha se fasha e rrezikut shkon deri në 32 përqind të popullsisë totale të vendit.
Një tjetër faktor që ka ndikur në rritjen e varfërisë shihet edhe reforma në sistemin energjitik, ku OSHEE thotë se janë ulur humbjet në rrjet në 31 përqind, nga 52 që ishin më parë. Vetë kreu i kësaj kompanie, Ardian Çela, në bilancin e bërë pak ditë më parë deklaroi se kompania për herë të parë është shndërruar në kontribuese në buxhet dhe parashikoi një shifër plus 10 miliardë lekë. Megjithatë, opozita ka denoncuar një sërë tenderash, sipas saj korruptivë, në OSHEE.
“Aksioni për rregullimin e financave të kompanisë pas një privatizimi të dështuar, por a shkuan këto para për publikun? Lidhur me tenderat është lënë ashtu pa garë për shkak të specifikës së sektorit dhe kjo lë hapësira për dyshime dhe afera korruptive”, tha gazetari Klodian Tomorri.
Për Arben Malajn, besimi në lidhje me OSHEE-në kthehet përmes tri pikave.
“Që qeveria të fitojë besimin me OSHEE-në duhet të ndjehet në 3 nivele, një të ulë pozicionet e zbuluara në banka sepse merr kredi me interesa të mëdha, e dyta qeveria nuk merr dot më borxhe pasi del garant për borxhet e kompanive publike, prandaj nuk rrit dot më nivelin e borxhit dhe e treta duhet të thotë që do të kthejë në formë investimi këto para të marra”, tha Malaj.
Për Ardian Civicin, rritja e varfërisë ekstreme nuk ishte i vetmi lajm i keq në raportin e Bankës Botërore.
“Në raportin e BB kishte dy shifra alarmante, 300 mijë njerëz që janë në kushtet e varfërisë relative dhe 32.13 përqind e popullsië, që do të thotë 900 mijë shqiptarë jetojnë në prag të varfërisë. Banka këtë thotë, kujdes me reformat radikale sepse prekin këtë shtresë prej 900 mijë shqiptarësh. Kjo shihet edhe nga fakti që bankat në vendin tonë sot po japin kredi në rajon. Ne duhet të gjenim mekanizmat që këto para të investoheshin këtu. Kemi nevojë për oksigjen financiar që ekonomia të prodhojë rritje ekonomike”, tha Civici.
Gazetari i Top Channel, Klodian Tomorri u ndal tek tre faktorë që tregojnë përkeqësim të ekonomisë në muajt gusht dhe shtator. Ai radhiti këtu rënien e import-eksporteve, rënien e kredisë dhe indeksin e besimit.
Duke iu rikthyer temës ë OSHEE-së, kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka kërkoi administrimin e saj si një koorporatë me aksione publike dhe gjetjen e rrugëve ligjore për të mbrojtur sipërmarrjen shqiptare në tendera me para publike.
“Të gjejmë rrugë ligjore që paranë publike të mos e nxjerrim jashtë vendit, ndaj duhet të mbrojmë sipërmarrjen vendase”, tha ai.
Top Channel