Të miturit e trafikuar në Britani, ambasadori Cannon: Autoritetet në Londër po hetojnë

22/10/2015 14:30

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Cannon, duke iu referuar artikullit të prestigjozes britanike “The Guardian” për numrin e lartë të fëmijëve shqiptarë të trafikuar në Angli, ka pohuar se ka një numër në rritje të të miturve shqiptarë, kryesisht djem nga mosha 15-18 vjeç, ndërsa deklaroi se autoritetet britanike po hetojnë mbi gjendjen e të dhënat e publikuara nga “The Guardian” me burim një shoqatë vendase, pasi nuk dihet sa reale janë ato.

“Një pjesë e atij raporti pasqyronte një realitet të dyshimtë do ta quaja. Ky raport është bërë objekt hetimi në Britani dhe po mundohemi të kuptojmë se çfarë pjese e raportit është e vërtetë dhe çfarë pjese jo. Sigurisht që ndodh që në Britani të vijnë fëmijë të pashoqëruar që udhëtojnë vetëm, por ata janë të moshës nën 18 vjeç. Ne jemi duke punuar ngushtësisht këtu me institucionet dhe policinë për të ndalur këtë fenomen”, u shpreh Cannon.

Ambasadori u kujtoi prindërve se largimi i të miturve pa familje jashtë vendit përbën vepër penale, pasi konsiderohet braktisje e tyre: “Trafikimi i qënieve njerëzore është një problem shumë më i gjerë dhe në rritje. Kjo është një simptomë e problemeve të tjera më të rënda social-ekonomike. Nuk prek vetëm familjet, por edhe shoqëritë dhe ndodh me përfshirjen e krimit të organizuar. Do të thotë që ky nuk është një problem që përfshin strukturat e policisë, por është problem i shoqërisë në tërësi. Mënyra për ta adresuar këtë problem, përveç aksioneve të qeverisë, janë gjithashtu edhe informimi dhe integrimi”.

Diplomati britanik i bëri deklaratat e tij gjatë një forumi të hapur të organizuar në kuadër të muajit antitrafik në universitetin ”Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA