Replikat Spaho-Rama për OSHEE-në

22/10/2015 20:20

Palët u përballën për herë të parë në Parlament për akuzat e ditëve të fundit të opozitës, se OSHEE u ka dhënë tendera disa deputetëve të mazhorancës.

Opozita madje i ka bërë edhe publikë emrat e tyre.

Deputeti demokrat, Edmond Spaho, deklaroi se marifeti që po përdoret është kalimi i aksioneve tek të afërmit, por akuzën konkrete e përqëndroi tek emri i një deputeti socialist.

Edmond Spaho, deputet i PD: Përfaqësuesi ligjor i degës së zyrës së përfaqësimit, Arbër Abazi, para disa ditësh, me adresë Kompleksi Usluga, kati i 8, pranë Stacionit të Trenit, ka marrë tenderin rikonstruksion fideri 311, 11 kabina elektrike, rikonstruksioni i kabinës Kaldaja e Re. Ky tender, zoti Kryeministër, ka fondin limit 7 miliardë e 393 milionë e 177 mijë e 503 lekë, e ka fituar me vleftën 6 miliardë e 608 milionë e 406 mijë e 859 lekë. Besoj se jemi të qartë.

Kryeministri Edi Rama: Të sfidova profesor që të dalësh këtu dhe me fakte të tregosh ku janë. Por ti nuk mund të thuash që kjo kompani ka zyrën në kat të 8 tek pallati i filanit dhe asgjë tjetër dhe të bësh deduksionin se mqs kjo kompani e ka zyrën në kat të 8, atëherë është kompani e Sadri Abazit. Kjo është logjikë që do kishte skuqur edhe autorin e Zhvejgut.

Edmond Spaho, deputet i PD: Pas gjithë këtyre sukseseve që keni arritur zoti Kryeministër, ne nuk na ngelet gjë veçse t’u këndojnë ato katër vargjet e “Shakaxhiut të Përparimit” të Fan Nolit: “Rroftë Edi Rama! Rroftë! Shakaxhiu i përparimit, bres pas brezi u kujtoftë, si stërnip i Nastradinit!”

Edi Rama: Jepni e merrni me këmbë e duar, tamam si ajo poema; O i shkretë i punëtuar, jep e merr me këmbë e duar; bam me këmbë e bam me duar, o i shkretë i punëtuar.   

Kryeministri shtoi se OSHEE po sulmohet nga opozita për shkak të rezultateve të kompanisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA