Prokuroria në Kosovë, edhe një mundësi Kurtit e Haxhiut

22/10/2015 17:40

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ftesat e dërguara për paraqitje para Prokurorit të Shtetit, në adresën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, nuk kanë mundur të dorëzohen në mënyrë të rregullt, andaj Prokuroria do të provojë sërish dorëzimin e ftesave për këta persona.

“Nëse të pandehurit, në rastin konkret Kurti dhe Haxhiu, të cilët janë thirrur me rregull nuk paraqiten dhe nuk e arsyetojnë mungesën e tyre ose kur thirrja nuk ka mundur t’iu dërgohet sipas rregullit dhe kur sipas rrethanave është e qartë se të pandehurit i shmangen pranimit të thirrjes, sipas dispozitës së nenit 175 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale, gjyqtari i procedurës paraprake më kërkesë të prokurorit të çështjes lëshon urdhër-arrest.” thuhet ne njoftimin e Prokurorisë Themelore.

Po ashtu Prokuroria ka njoftuar se pas tentativës për dorëzimin e ftesave të para, nuk ka lëshuar autorizim për arrestim ose aktvendim për ndalim kundër deputetëve në fjalë lidhur më ngjarjet në Kuvendin e Kosovës të datës 08.10.2015.

Kurti dhe Haxhiu kanë përgënjeshtruar ndërkohë Policinë e Kosovës në lidhje me refuzimin ndaj thirrjeve të prokurorisë. Ata kanë deklaruar se nuk fshihen nga policia, por vazhdojnë aktivitetin e tyre politik.

Vetëvendosje ka akuzuar Policinë dhe Prokurorinë për shkelje të ligjit, duke theksuar se arrestimi pa fletarrest i pak ditëve më parë i Albin Kurtit është në kundërshtim me ligjin dhe protestuesit për lirimin e tij u rrahën dhe keqtrajtuan nga policia.
Sipas Vetëvendosjes, policia dhe Prokuroria po krijojnë atmosferë kërcënuese ndaj opozitës, ndaj u kanë bërë thirrje organeve të rendit të veprojnë në përputhje me ligjin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA