Kosovë, Jahjaga çon marrëveshjen për Asociacionin në Kushtetuese

22/10/2015 14:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese përmbajtjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ky vendim i presidentes ka ardhur si propozim i saj për daljen nga kriza politike, pas takimeve që kryetarja e vendit ka zhvilluar me udhëheqësit e partive politike.

Burime të sigurta të Top Channel, të konfirmuara nga pozita dhe opozita, kanë treguar se ideja e Jahjagës gëzon mbështetje nga palët.

Pas konsultimeve të fundit, që Presidentja pritet t’i mbajë të premten paradite me përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës, përmbajtja e marrëveshjes për Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese, nga e cila do të kërkohet vlerësim nëse ajo marrëveshje e cënon Kushtetutën e Kosovës.

Zyra e presidentes nuk ka dashur të flasë në detaje për propozimin e Jahjagës, por ka treguar për Top Channel se, Presidentja është në konsultim me partitë parlamentare dhe po vlerëson ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm.

Top Channel ka mësuar se, kjo ide kompromisi e presidentes ka gjetur mbështetjen edhe të ambasadave të vendeve të Kuintit, ndërsa nga data e depozitimit në Kushtetuese, kjo gjykatë ka në dispozicion 60 ditë për të kthyer përgjigje.

Mësohet se, tanimë ekziston një pajtueshmëri, që qeveria të mos ngutet me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, pa u trajtuar më parë përmbajtja e marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese.

Ky hap i ndërmarrë nga Presidentja pritet të zbusë qëndrimet e opozitës dhe do të ndikojë në normalizim të situatës, të paktën deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese. E para, që e ka komentuar publikisht këtë nismë, është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Përmes një komunikate për mediet, partia e Ramush Haradinajt vlerëson se një vendim i tillë, në një situatë aspak normale politike, mund të jetë një hap shpresëdhënës. “Me gjithë vlerësimin e këtij hapi të presidentes, AAK thekson se, ata që duhet të reflektojnë të parët janë Qeveria dhe kryeministri. AAK vlerëson se, derisa nismat si kjo e presidentes nuk do të kenë një rezultat konkret, opozita do të vazhdojë me dinamikën e kundërshtimit të marrëveshjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA