Një i vdekur dhe 3 të plagosur është bilanci i motit të keq, që ka mbuluar Greqinë gjatë orëve të fundit.

Viktima, një 40-vjeçar, ndodhej në bordin e një makine, së bashku me nënën e tij, në kohën që u rrëmbye prej ujërave të një përroi në periferi të Athinës.

Sipas forcave të zjarrfikëses, 40-vjeçari u nxor nga automjeti i tij brenda pak minutash, por ishte i pamundur shpëtimi i tij. E ëma e tij u dërgua në spital me dëmtime në kokë.

Edhe dy të plagosurit e tjerë u nxorën nga automjetet e rrëmbyera prej ujërave në të njëjtën zonë, deklaruan zjarrfikësit.

Sipas tyre, sasia e madhe e reshjeve që ra brenda pak orësh mbushi rrugët dhe përrenjtë, që kalojnë në territorin e Athinës, duke krijuar shumë probleme në kryeqytetin e vendit, por edhe në zonën e Peloponezit dhe atë të Selanikut.

Një godinë trikatëshe u rrëzua në zonën Kamatero të kryeqytetit helen, por për fat pa shënuar viktima. Ndërsa prej rrëzimit të pemëve në rrugët e Athinës u dëmtuan disa automjete.

Vetëm brenda dy orëve, zjarrfikësit morën më shumë se 650 telefonata për përmbytje të kateve të para dhe bodrumeve, kurse dëmet në banesat dhe bizneset e dëmtuara llogariten në miliona euro.

Prefektja e Atikës, Rena Dourou tha se Prefektura dërgoi ndihmë në zonat e dëmtuara, ndërsa gjatë orëve në vazhdim do të dërgohen në zonë edhe ekipe për të vlerësuar situatën dhe dërgimin e ndihmave për të prekurit. Dourou premtoi dëmshpërblime për të dëmtuarit.

Koorporata Energjetike greke njoftoi për dëme në rrejtin e shpërndarjes në periferi të Atikës, ku u shënuan edhe ndërprerje të energjisë, por situata do të normalizohet gjatë orëve në vazhdim, deklaroi zëdhënësi i saj.

Ndërkohë, mbrojtja civile paralajmëroi se situata meteorologjike do të mbetet e njëjta në shumë zona të vendit, me reshje dhe erëra të forta, ndaj njoftoi banorët të bëjnë kujdes.

Top Channel