Në ditën e dytë të punimeve të Samitit të Partive Popullore Europiane, që po zhvillohet në Madrid të Spanjës, Lulzim Basha denoncoi sërish atë që opozita e quan “kapje të shtetit nga krimi i organizuar dhe oligarkët e lidhur me pushtetin”.
Pasojë e kësaj kapjeje, sipas Bashës, është rëndimi i situatës ekonomike në vendin tonë.
“Kapja e shtetit nga krimi i organizuar dhe oligarkët e lidhur me pushtetarët, përqendrimi i pushtetit dhe pasurive publike në pak duar kanë sjellë një situatë të rëndë ekonomike në Shqipëri, pasiguri dhe krizë ekonomike”, tha Basha në fjalën e mbajtur në këtë samit.
Shefi i opozitës kërkoi më shumë vëmendje dhe ndërhyrjen e Bashkimit Europian për t’i dhënë fund kësaj situate.
“Kjo situatë e bën edhe më të domosdoshëm fokusimin e vëmendjes së Bashkimit Europian në Shqipëri, ku si rezultat i bashkëqeverisjes me krimin dhunohen standardet demokratike e shteti ligjor dhe qytetarët goditën padrejtësisht”, shtoi kreu i demokratëve.
Gjatë pjesëmarrjes në Kongresin e PPE-ve, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua me presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk, presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claud Juncker, me Komisionerin për Zgjerimin, Johanes Hahn dhe zyrtarë të tjerë të PPE-së dhe Bashkimit Europian.
Në këto takime Basha ka shprehur shqetësimin e opozitës për mungesën e vullnetit nga ana e mazhorancës për respektimin e marrëveshjes së dekriminalizimit, e nënshkruar një vit më parë edhe me ndërmjetësimin e Parlamentit Europian.
“Ndonëse me ndihmën e Parlamentit Europian një vit më parë u arrit marrëveshja për dekriminalizimin mazhoranca ka dëshmuar mungesë të theksuar vullneti për zbatimin e saj duke shkuar dhe më tej me kandidimin e personave me rekorde kriminale për kryetarë bashkish, ndërsa janë denoncuar me dhjetëra raste të tjera të emërimit në poste të rëndësishme të administratës të personave me rekorde kriminale”, është shprehur Basha në këto takime.
Pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe zgjedhjet e 21 Qershorit, ku opozita e interpreton raportin e OSBE/ODIHR-it si “zgjedhje jo të lira dhe as të ndershme”.
Në njoftimin e shpërndarë nga Partia Demokratike thuhet se temë e diskutimeve kanë qenë edhe zgjedhjet e 21 Qershorit, ku opozita ka denoncuar shkeljet në proces, që sipas saj pasqyrohen edhe në raportin e OSBE/ODIHR-it.
Basha u ka kërkuar bashkëbiseduesve të sjellin në Shqipëri përfaqësuesit e tyre për të parë nga afër situatën sesi mazhoranca sfidon themelet e demokracisë shtetin ligjor, liritë dhe të drejtat e njeriut.
Top Channel