Rritet numri i azilantëve, Belortaja: Pasojë edhe e reformave të forta

21/10/2015 12:20

Zëvendësministri i Jashtëm në Komisionin e Politikës së Jashtme konfirmoi rritjen jo të zakonshme të azilkërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian, kryesisht në Gjermani.

“Përqindja e azilkërkuesve, në krahasim me fluksin është dyfishuar në vitin 2015, krahasuar me 2014”, tha zv.ministri Selim Belortaja.

Numri dy i dikasterit të diplomacisë tha se, qeveria shqiptare ka identifikuar si shkaqe disa faktorë. Kriza ekonomike europiane dhe rajonale, keqpërdorimi i liberalizimit të vizave, mashtrimi i agjencive turistike, si dhe inkurajimi nga të afërmit emigrantë për të tërhequr familjarët e tyre. Por Selim Belortaja dha edhe një arsye, që pati merakun ta theksojë disa herë se, e ka një këndvështrim personal.

“Në vështrimin tim gjithmonë, këtu nuk dua të ngarkoj Ministrinë, që edhe reformat e forta e të guximshme që po ndërmerr qeveria shqiptare, patjetër prodhojnë kosto. Kush mendon që ato nuk prodhojnë kosto afatshkurtër, nuk mendoj se i afrohen të vërtetës. Ato prodhojnë kosto afatshkurtër për hir të stabilitetit dhe krijimit të një situate afatgjatë”, tha Belortaja.

Ndërsa opozita e sheh largimin e shqiptarëve të lidhur vetëm me atë, që quajnë keqqeverisja e Edi Ramës. Zëvendësministri i Jashtëm informoi gjithashtu për përgatitjen e shtetit shqiptar për të pritur refugjatë nga vendet e Lindjes së Mesme. Afrimi i dimrit dhe mbyllja e kufijve të disa shteteve ballkanike mund të devijojë flukset drejt territorit shqiptar. Për këtë arsye – informoi Belortaja, – prefekturat kufitare janë kontaktuar për ngritjen e zyrave të pritjes së refugjatëve dhe ambienteve akomoduese.

Qarku i Korçës dhe Gjirokastrës mendohet të jenë të parat, që mund të përballen me këtë fenomen. Zëvendësministri i Jashtëm tha se, nëse kjo ndodh, Shqipëria do të ketë nevojë edhe për financime nga BE, për të përballuar një fluks të mundshëm refugjatësh, që Shqipërinë mund ta shohin si tranzit për të kaluar drejt Italisë.

Ashtu siç pritej, deputeti i opozitës, Aldo Bumci i mëshoi – duke e cilësuar skandal të Ministrisë së Jashtme, – lajmin e publikuar në media se, shefi i kabinetit të Ditmir Bushatit është thirrur për të kryer detyrimin ushtarak në Greqi, duke qënë se mban edhe nënshtetësinë e vendit fqinj.

“Si mund të jetë shefi i kabinetit i ministrit të Jashtëm, që kalon material konfidencial jo vetëm për ne si shtet, por edhe për partnerët më të rëndësishëm për çështjet më delikate, të jetë ushtar i një vendi tjetër? Fakti që t’i do të jesh ushtar i atij vendi, je i gatshëm deri në sakrificën maksimale. Ky është një skandal. Nëse është e vërtetë, ai duhet të dorëhiqet”, tha deputet demokrat Aldo Bumçi.

“Lajmi është i paverifikuar zyrtarisht dhe mesa di, edhe vetë personi i përmendur është duke verifikuar se çfarë ka pas situatës së tij. Ai thotë se unë vetë e kam marrë një njoftim dikur dhe e kam refuzuar kategorikisht shërbimin ushtarak në Greqi. Për këtë arsye, për mua është çështje e mbyllur vite përpara dhe jo sot”, tha Belortaja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA