PD: Paratë e dritave shkuan për oligarkët dhe donatorët e tyre

21/10/2015 11:50

Partia Demokratike bëri publike disa detaje të tjera, sesi kompani që kanë patur për pronar deputetë të mazhorancës ose njerëz të afërt të kryeministrit Edi Rama kanë përfituar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike rreth 7 milionë dollarë.   

“Milionat që OSHE ka dhënë për deputetë të Edi Ramës, kandidatë për kryetarë bashkie apo donator të Partisë Socialiste apo LSI-së, kryesisht janë ndarë me negociim pa shpallje gare. Me porosi; hajde dhe merr nga thesi ca miliona”, deklaroi Spaho.

Opozita akuzoi Operatorin e Shpërndarjes se miliardat e lekëve, që ua ka marrë qytetarëve edhe duke i burgosur dhe duke i çuar drejt vetëvrasjes, nuk po investohen në interes të publikut, por për të pasuruar klientet e kryeministrit Rama.  

“Për çfarë duheshin marrë me dhunë këto para kur nuk investohet ne përmirësimin e furnizimit me energji e evidentuar tek hidrovorët që nuk punonin gjatë përmbytjeve apo tek ndërprerja e vazhdueshme e dritave kudo në vend. Këto para u duheshin marrë me dhunë qytetarëve që ndërtuesi i sarajeve të Edi Ramës të kapte 5 miliardë lekë për rikonstruksion zyrash. Sipas llogarive të bëra, ndërtuesit të Ramës i janë dhënë para për të bërë punime rregulluese që shkojnë 1639 euro metri katror. Ndërkohë që për të ndërtuar një godinë të re kostoja është 4 herë më e vogël”, tha Spaho.

Demokratët e bënë me kontrastin më të fortë, kur krahasuan sjelljen e Operatorit të Shpërndarjes me qytetarët dhe përfitimeve në miliarda lekë të njerëzve të qeverisë.

“Këto para u duheshin marrë me dhunë qytetarëve që të merrte pa tender Safet-kandidati i Edi Ramës në Kamëz, 850 milionë lekë për shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike sikurse mori edhe kompania e Pjerin Ndreut, 340 milionë lekë. Kur ndahet torta nuk mungon i kudondodhuri i korrupsionit, Ilir Beqa, me kompaninë e tij Intech plus, që ngjeu lugën edhe me paratë e OSHE-së. 970 milionë lekë ka përfituar Sadri Abazi, një tjetër kanakar i Edi Ramës. Bëjnë pasuri me këto miliona deputetë dhe klientela e Edi Ramës, teksa lihen në errësirë fëmijë të porsalindur, pleq të vetmuar, dhe çohen në burg njerëzit e pamundur. Një korrupsion i pamasë e i pështirë qe tallet me skamjen dhe me jetën e qytetarëve të vendit”, përfundon Spaho.

Top Channel