Mustafa: Rekomandimi, dëshmi e axhendës evropiane të Kosovës

21/10/2015 17:25

“Përkrahja për shtetin e Kosovës nga Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s, është dëshmi e fuqishme se axhenda Euro-Atlantike e Kosovës dhe anëtarësimi i saj në organizata të rëndësishme ndërkombëtare është një proces që po fuqizohet çdo ditë”.

Kështu ka reaguar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pas votimit në fjalë në Paris.

“Parimet themeltare të UNESCO-s janë që të kontribuojë për paqen dhe sigurinë, duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar përmes arsimit, shkencës dhe kulturës dhe për të çuar përpara respektimin universal për drejtësi, sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut, së bashku me liritë themelore të shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Mustafa.

Ai ka vlerësuar se, “këto parime janë thelbësore për një shoqëri demokratike, tek të cilat është orientuar edhe Kosova, me një konsensus të plotë shoqëror dhe kulturor”.

“Procesi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO po bëhet me një punë të jashtëzakonshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe institucioneve të tjera kompetente dhe nuk është e drejtuar as ndaj ndonjë shteti fqinj, as kundër ndonjë bashkësie etnike në Kosovë”, ka vijuar Mustafa.

Ai është shprehur i bindur se, “nga anëtarësimi në UNESCO do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie apo feje dhe do të avancohet edhe më tej bashkëjetesa ndëretnike, si një traditë e ruajtur dhe e kultivuar ndër shekuj”.

“Në ditët e ardhshme na presin lajme të mira nga Brukseli për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj”, ka paralajmëruar më tej Mustafa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA