I pranishëm në Kongresin e Partive Popullore Europiane që po mbahet në Madrit, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në fjalën e mbajtur përpara të pranishmëve bëri një pasqyrë të situatës aktuale në Shqipëri, të cilën e cilësoi si shumë të rëndë.
“Shqipëria dhe populli shqiptar janë përballë me një situatë të jashtëzakonshme. Zotërit e drogës, persona të dënuar për trafik të qënieve njerëzore dhe pastrim parash kanë kapur kontrollin e Parlamentit dhe Qeverisë. Pronat publike dhe fondet publike janë zaptuar në mënyrë sistematike nga këta individë, të cilët ky kryeministri aktual i ka emëruar si anëtarë të Parlamentit, kryetarë të bashkive dhe zyrtarëve të lartë publikë”, deklaroi Basha.
Duke u ndalur tek e njëjta temë, Basha risolli në kujtesë edhe marrëveshjen e nënshkruar me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve për dekirminalizimin e Parlamentit, e cila sipas tij po pengohet nga Qeveria.
“Për fat të keq, Qeveria deri më tani ka penguar zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe në vend të kësaj ka përkeqësuar problemin duke shtuar më shumë njerëz me precedentë penalë për kryetar të bashkive dhe emërimin e dhjetëra të tjerëve në pozitat kyçe. Kapja e shtetit nga krimi ka dëmtuar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe kanë çuar në pasoja ekstreme për qytetarët shqiptarë”, theksoi Basha.
Një tjetër pikë tek e cila kreu i opozitës vuri theksin ishte ajo e rritjes së numrit të azilkërkuesve shqiptarë, për të cilën sipas tij ka ndikuar situata në vend.
E në fund të fjalës së tij, Lulzim Basha i bëri thirrje të gjithë anëtarëve të Partive Popullore Europiane, e veçanërisht atyre që janë në krye të qeverive në shtetet e tyre, që të dërgojnë në Shqipëri ekipet e tyre për të parë nga afër shkaqet e vërteta të kësaj situate, të cilën Basha e cilëson si të paprecedent.
“Unë kërkoj nga ju që të bashkojmë forcat dhe të mbështesni thirrjen tonë për dekriminalizimin e Parlamentit, Qeverisë dhe administratës lokale, si parakusht për të luftuar krimin dhe korrupsionin, për të rivendosur demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe për të bërë të qartë edhe një herë rrugën evropiane për Shqipërinë”, shtoi Basha.
Top Channel