Ndue Dedaj – Në botën shqiptare do të hasësh personazhe të pazakontë, me plot kuptimin e fjalës, që për vendin e tyre nuk u mjafton as shtëpia, as pasuria, as jeta.
Të tjerët ua kthejnë shpinën arave e kopshtnajeve në male, krojeve e kullave, mirasë së katundit, lumit e vahut, kurse Shtjefën Ivezaj e ka ngarkuar në shpinë “Malësinë” e tij dhe e ka futur brenda mureve të një muzeu të rrallë në Lekaj të Tuzit, që nuk është asgjë tjetër veçse shtëpia e tij e banimit. Sepse kush mund të ketë dhe një shtëpi të dytë për ta mbushur me reliket e historisë dhe trashëgimisë?
Kishim dëgjuar prej kohësh për këtë njeri të qeshur e gojëtar, që për tri orë nuk ulet njëherë në karrige, dhe pse është 80 vjeç, por vetëm na tregon me hollësi për ato objekte të pafundme që e kanë pushtuar shtëpinë e tij në çdo qoshe, deri në tavan. Sado të përpiqesh të thuash shifra, aty nuk ka një inventar të shkruar dhe mbase nuk do të ketë asnjëherë, pasi tashmë muzeu i parë etnografik i Malësisë së Madhe, siç e ka emërtuar Shtjefni, nuk rresht së pasuruari me relikte të vjetra, origjinale, karakteristike, jo vetëm nga “Malësia” e Dedë Gjo Lulit matanë kufirit shtetëror (historikisht të gabuar), por dhe nga Shqipëria, Kosova, shqiptarët e diasporës etj. Në ato anë ka një adhurim si askund tjetër për heroin e Traboinit, që ngriti flamurin në majë të Bratilës më 1911. Edhe Shtjefni ka dëshmuar devocion ndaj veprës së tij, kur më 1970 përfundoi në birucat e Beogradit, në hetuesi, vetëm se kishte shpalosur flamurin e Dedë Gjo Lulit, këtij miti të Malësisë, kushtrimit të të cilit për liri e pavarësi, i bindeshin të gjithë, përfshi dhe prelatët katolikë, që si rregull nuk përziheshin në punët e luftës.
Kur e dëgjon Shtjefnin duke folur për vendin e vet habitesh se si ai nuk është bërë poet, por etnograf popullor, që njeh çdo detaj të objekteve që ka në muzeun e tij, paçka se nuk ka qenë larg fushës së artit. Si fotograf i Malësisë dhe më vonë i Tuzit me rrethina ai ka futur në celuloid jetën shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Mjeshtër i fotografisë dokumentare e artistike, çka vërehet dhe në ato pak portrete familjare që ka varur në mur në studion “marubiane”, ku gjenden mbi 50 lloje aparatesh fotografike, nga më të vjetrit. Vetëm ballkoni kishte tepruar dhe Shtjefni e ktheu atë në kujtesën e profesionit të tij, që dhe ishte bërë nxitje gjysmë shekulli më parë që ai të niste kërkimin e koleksionimin e sendeve të vjetra të traditës vendase, që nuk ishte e lehtë të ruheshin veçanërisht nga shqiptarët në Jugosllavi. “E kam filluar këtë punë qysh në vitin 1966”, thotë ai, ndonëse muzeu mori formë dhe u inaugurua vetëm 13 vjet më parë, në maj të vitit 2002.
Shtjefën Ivezaj kishte pritur se mos do të gjendej një shtëpi për muzeun e tij unik dhe kur pa se nuk po ofrohej nga askush ndonjë mjedis i përshtatshëm, atëherë ndërmori aventurën e padëgjuar, i lëshoi shtëpinë e tij muzeut, duke fjetur vetë sa në aneks, sa mes “rrangullave” gjithfarësh, siç mund të thoshte çdokush që nuk ia jepte vlerën e duhur kësaj ndërmarrjeje kulturore të pashembullt. U pajtuan me këtë vendim të tijin dhe bashkëshortja, Gjystja, një grua e moshuar me tipare malësore dhe fëmijët e tyre emigrantë, vajza në Gjermani, djali i madh në Amerikë e djali i vogël arkitekt në Prishtinë. E vështron këtë grua të fisme se si përkulet mbi reliktet e të shoqit, ke dëshirë ta qasësh me Norën e Kelmendit, por zonja Ivezaj nuk ka qenë një grua që ka dashur të hyjë në histori. Ama, ajo nuk i shpëton për asnjë çast vëmendjes së Shtjefnit, i cili e quan atë “heroinë” që ka përballuar një jetë ndryshe nga krejt gratë e atyre anëve, ka sakrifikuar për pasionin e të shoqit, që dalëngadalë është bërë dhe pasioni i saj, sa sot në moshën 77-vjeçare nuk ka një vend ku të pushojë qetësisht, pasi ia kanë zënë shtëpinë pushkët, lahutat, xhubletat e deri çerdhet e zogjve, pasi për syrin e Shtjefnit nuk është asgjë e tepërt, në këtë “fole” që ka shtegtuar nga Malësia në fushë. Për të gjitha sendet e kullave të maleve bëhet vend, por jo dhe për ata të dy njerëz të shtyrë në moshë, as për të pirë një kafe ndenjur, përpos se në oborrin e pastër e të blertë. Dhe kjo nuk është assesi një shprehje e figurshme, por një e vërtetë që e vëren me të hyrë në muzeun-shtëpi, që qëllimisht nuk po e quajmë shtëpi-muze, siç quheshin dikur ato të Pashko Vasës, Ndre Mjedës e Migjenit në Shkodër. Aty mungon dhe komoditeti më i vogël familjar dhe burrë e grua rrojnë si dy asketë në shtëpinë e tyre!
Ata të dy kanë flakur pleqërinë tej mundësive dhe shëndetit të tyre jo pa probleme, pasi iu duhet të rrinë e të shpjegojnë gjithë ditën për vizitorët e gjithkahshëm, televizionet etj. Edhe oborri është pjesë e muzeut, aty janë topat, predhat dhe mburojat e Luftës së Dytë Botërore etj. Nën hijen e pemëve është dhe makina e thjeshtë e markës gjermane, me të cilën i zoti ka mbartur “plaçkat” e muzeut nga Malësia e Këlmendit, Hotit, Grudës, Plavës e Gucisë. Muzeu është si një magnet që i thith sendet e vjetra nga të gjitha anët. Shtjefni nuk rresht së treguari hyrjen e secilit objekt, që nga shpatat dhe heshtat ilire, pasi deri atje shtrihen rrënjët e këtij muzeu të çuditshëm. Më tej në mur kundron 15 shpata të llojeve e madhësive të ndryshme. Disa nga ato shenja të identitetit tonë kombëtar sikur i ka më për zemër, një djep me kaptellin e gdhendur, një xhubletë që i ka 150 vjet, dhjetëra lloje lahutash e çiftelish të stolisura, armësh të vjetra (livore, naganta, pushkë të ndryshkura), kumbonësh bagëtish (mbi njëzet lloje, dhe “kumbona më e vogël e botës”, siç e cilëson ai), kurthësh, furkash, vozash, bolirash e shtambash uji, enësh dheu dhe druri, apo koleksioni prej dy mijë shkrepësesh, tri mijë pullash postare etj. Ka dhe një bibliotekë librash të vjetër, basorelieve në dru e bakër, me simbolika kombëtare, ndër to dhe një shqiponjë në tavan, dhuruar nga Kosova. Gërshetohen si askund kohët dhe zejet. I sjell dikush një lahutë duke e pyetur nëse i kishte a jo njëqind vjet? Shtjefni i thotë se i ka treqind vjet, pasi ai është bërë një njohës shumë i mirë i trashëgimisë shqiptare. Nuk mungojnë në atë shtëpi muzeore dhe objekte të kulturave të tjera, si kroate, malazeze etj., pasi popujt japin e marrin mes tyre si fqinj, aq më tepër kur kanë bashkëjetuar gjatë në një federatë shtetërore nga Ohri në Dubrovnik. “Ndoshta në asnjë muze tjetër nuk ka simbolika kombëtare sa këtu”, thotë Shtjefni, aspak për mburrje, por për të vënë në dukje se ato lartësojnë popullin që i ka krijuar me thjeshtësi, si një shqiponjë e punuar me rruaza të kuqe. Në gjithësinë e objekteve të ekspozuara, boshti ku rrotullohet muza trashëgimore tejet e larmishme është kombi shqiptar. Vijnë e filmojnë nga vende të ndryshme për ata që nuk mund ta vizitojnë këtë muze nga afër, se duan që fëmijët e tyre në Amerikë, Gjermani, Zvicër ta njohin visarin e pasur të traditës.
Kur ia kishte hyrë kësaj pune mbase nuk e kishte shkuar ndër mend Shtjefën Gjeçovin, gjurmimet që ai bënte në Gomsiqe në fillim të shekullit XX, duke zbuluar e duke koleksionuar kulturën e Komanit e të tjerë. Ky Shtjefni i “dytë” i Malësisë, njëqind vjet pas të parit, thjesht nuk kishte dashur të bjerrej kultura e të parëve të tij. Por a e kemi kuptuar ne këtë njeri-muze, që ato relikte i ka të lidhura pas gjuhës dhe shpirtit, para se t’i ketë të afishuara në mure? Na duket se jo dhe aq, edhe pse ai është modest e nuk e bërtet. Por nuk është e vështirë të kuptohet se ai është i pakënaqur nga institucionet shtetërore të kulturës në Shqipëri dhe Kosovë, që nuk kanë investuar asgjë për këtë muze, që është i të gjithë shqiptarëve. “Me më dhanë arin e krejt botës nuk e tjetërsoj këtë muze. Ka 13 vjet që jetoi si në epokën e gurit me familjen time për të.” Kaq thotë ai, me krenari të natyrshme prej shqiptari, duke lënë të kuptohet se ka pasur ndonjë ofertë nga institucionet malazeze. Po institucionet shqiptare, që iu bie barra të parave, pa përjashtuar dhe ato të Malit të Zi? Nuk ka asnjë projekt se ç’do të bëhet për vazhdimësinë e këtij muzeu. Nuk mund t’i shtohen dy a tre kat kësaj ndërtese? Nuk mund të paguhet një etnograf që të kujdeset për këtë pasuri të pazëvendësueshme, duke kryer dhe studime rreth saj? Iu takon enteve të specializuara të bëjnë një botim të posaçëm të vlerave të këtij muzeu, pasi aty ka dhe aso relikesh që nuk ndodhën askund tjetër. Kontribut mund të japin dhe organizmat që merren me turizmin, pasi ky muze tashmë është ndër më të kërkuarit nga vizitorët.
E prapë zot, kujdestar e ciceron i tij, vetëm Shtjefni!…
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel