SHBA përshëndet Jahjagën: Jo dhunës dhe kërcënimeve

20/10/2015 16:10

Ambasada amerikane në Prishtinë i ka dhënë mbështetje të plotë nismës së Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga për dialog mes partive politike të përfaqësuara në kuvendin e Kosovës.

Nëpërmjet një komunikate për media Ambasada amerikane fton sërish partitë politike që të heqin dorë nga çfarëdo kërcënimi me dhunë që është edhe i paligjshëm edhe nuk përputhet me një shtet modern demokratik.

Ambasada amerikane thekson se Kuvendi është institucioni më i rëndësishëm i Kosovës dhe funksioni i tij siç thuhet është jetik për demokracinë përparimin dhe sigurinë e Kosovës.

“Vetëm një Kuvend që funksionon mund të debatojë dhe miratojë masat që nevojiten për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës dhe për të siguruar që Kosova vazhdon rrugëtimin e saj drejt integrimit Euro-Atlantik”, thuhet më tutje në reagimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Nga ana e saj presidentja Atifete Jahjaga, në kuadër të takimeve me liderët e partive politike parlamentare, priti edhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Edhe për kryetarin e kësaj partie, Aleksandër Jabllanoviç, veprimet e opozitës janë të papranueshme.

“Mendoj që shumica është e qartë në parlament. Pa mëdyshje shumica prej dy të tretave ekziston. Presidentja gjithsesi është ajo që duhet të përzihet në zgjidhjen e kësaj krize dhe ajo këtë po e bën në mënyrën si përshkruhet në kushtetutë dhe ligj. Mendojmë që veprimi i fundit në vargun e veprimeve të opozitës shkoi shumë larg dhe opozita duhet të mendojë pak edhe për atë se çfarë metoda po përdor dhe të llogarisë se sa gjatë këto metoda do të lënë pasoja në një bashkëpunim të mundshëm në periudhën e ardhshme”, ka deklaruar Aleksandër Jabllanoviç, kryetar i Listës Serbe.

Për shkak të përçarjeve brenda Listës Serbe, Presidentja Jahjaga priti në një takim të veçantë edhe grupin tjetër të zyrtarëve nga Lista Serbe. Më herët gjatë ditës, Presidentja Jahjaga takoi edhe përfaqësuesit deputetë të minoriteteve jo serbe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA