Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur të martën paradite për të diskutuar për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit dhe për të vendosur se kur do të mbahet seanca e radhës.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli pasi propozoi rendin e ditës për seancën e radhës, kërkoi nga anëtarët e Kryesisë që të vendosin për datën e vazhdimit të seancës së ndërprerë javën e kaluar.
Por, anëtari i Kryesisë nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, tha se është mirë që Kryesia mos të vendosë për seancë parlamentare pa përfunduar presidentja Atifete Jahjaga raundin e takimeve me liderët e partive politike.
Haliti tha se meqenëse presidentja ka marrë një rol për të diskutuar me liderët partiakë, atëherë duhen pritur rezultatet e takimeve mes palëve.
Propozimi i Halitit u mbështet edhe nga anëtarja e kryesisë, Duda Balje nga Grupi Parlamentar 6+.
Me këtë rast, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli kërkoi që mbledhja e Kryesisë të vazhdojë punën pa prezencën e mediave, ndërsa tha se pasdite do të mbajë konferencë për media, për të treguar vendimet e saj.
Top Channel