“Frroku”, PD: Dyshja Rama-Meta mbrojti inkriminimin

20/10/2015 10:15

Partia Demokratike ka reaguar ashpër mbrëmjen e së martës lidhur me dërgimin e çështjes së deputetit Mark Frroku në Gjykatën Kushtetuese.

“PD dënon vendimin e sotëm të Edi Ramës dhe Ilir Metës për të mbrojtur mandatin e deputetit Mark Frroku, i cili gjendet nën akuzën e vrasjes nga drejtësia belge. Këshilli i Mandateve tregoi sot mungesën e vullnetit të Edi Ramës dhe Ilir Metës për të bërë dekriminalizimin e politikës”, thuhet në një deklaratë.

Sipas qëndrimit të PD, në këtë këshill sot u konfirmua këmbëngulja e dyshes Rama-Meta për të mbrojtur inkriminimin.

“Refuzimi i kërkesës së Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të të zgjedhurit të Edi Ramës është dhunim i nevojës qe ka vendi për t’u çliruar nga krimi, është dhunim i kërkesës së qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, vijon reagimi i partisë më të madhe të opozitës.

Por, “pavarësisht këtij qëndrimi pro-krimit”, Partia Demokratike paralajmëron se, “është e vendosur dhe do ta çojë deri në fund procesin e dekriminalizimit, bashkë me qytetarët dhe me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA