Familjarë dhe bashkëveprimtarë të Remzi Hoxhës, i cili është zhdukur në Shqipëri në vitin 1995, kanë protestuar në Prishtinë, duke kërkuar zbardhjen e rastit si dhe dënimin e vrasësit, i cili sipas familjarëve, vazhdon të endet i lirë.
Protestuesit, me parulla të ndryshme, qëndruan rreth një orë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe nga aty vazhduan para Ambasadës së Shqipërisë, për t’ia paraqitur kërkesat e tyre ambasadorit të Shqipërisë, Qemal Minxhozi.
Meqenëse ambasadori shqiptar ndodhej në inagurimin e konsullatës në Gjakovë, kërkesën e tyre e pranoi asistentja e tij.
Nexhmedin Hoxha, vëllai i Remzi Hoxhës, tha: “Ne kërkojmë që institucionet relevante, siç janë Parlamenti i Shqipërisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Interpoli dhe të gjitha mekanizmat e tjera shtetërore të futen në funksion menjëherë dhe fati i familjarit tonë të zhdukur të zbardhet sa më parë dhe ne të gjejmë eshtrat e tij e t’ia bëjmë një varr. Me mosangazhimin tuaj, familjarin tonë e vrisni për herë të dytë dhe dhembja për familjen tonë vazhdon të rritet edhe më shumë. Kapeni Ilir Kumbaron dhe të marrë fund e gjithë kjo histori e dhimbshme për familjen tonë dhe një histori e njollë e zezë për Shqipërinë. Jemi në pritje të reagimit tuaj të menjëhershëm”.
Edhe djali i Remzi Hoxhës, Ardiani, bëri thirrje publike për gjetjen e eshtrave të babait të tij, të cilat vazhdojnë të jenë të zhdukura prej 20 vitesh: “Ne i bëjmë thirrje publike edhe Edi Ramës, edhe Parlamentit të Shqipërisë dhe Presidentit të Shqipërisë që këtë çështje ta marrë me shumë urgjencë dhe ta vënë në agjendat e tyre dhe të zbardhet ky rast një herë e përgjithmonë. Është momenti i fundit që mund të zgjidhet. Jemi me shpresë, presim që drejtësia të vihet në vend, të gjejmë eshtrat e babait tim dhe edhe ne si familje, por edhe gjithë bashkëveprimtarët e babait tim dhe i gjithë opinioni të qetësohet shpirtërisht, t’ ia bëjmë një varr ashtu siç e meriton dhe të vazhdojmë me jetën tonë”.
Protesta e familjarëve të Remzi Hoxhës në Prishtinë u pasua nga ajo e një dite më parë në Shkup, ndërsa protestë e njëjtë do të mbahet të mërkurën edhe në Tiranë në sheshin Skënderbej.
Përveç protestave, familjarët kanë nisur edhe mbledhjen e firmave për një peticion publik drejtuar institucioneve shtetërore të Tiranës zyrtare për ndëshkimin e vrasësve të Remzi Hoxhës.
Deri më tani, familjarët kanë mbledhur rreth 10 mijë nënshkrime dhe iu duhen vetëm edhe pesë mijë për ta dërguar më pas këtë peticion në zyrën e kryeministrit shqiptar.
Top Channel