Prokuroria e Korçës ka nisur hetimin në gjendje të lirë të shtetasve Lubçe Jono dhe Petre Mitre, të dy të akuzuar për veprën penale të “kontrabandës me mallra të licensuara”. Në ndjekje të lirë janë edhe shtetasit Mariglen Dadolli dhe Rigels Mulla. Ata akuzohen për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Në datë 7 dhe 8 prill të këtij viti, në emisionin “Fiks Fare” janë transmetuar pamjet filmike të cilat tregojnë mënyrën e futjes së vezëve nga Bitola e Maqedonisë për në Shqipëri, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar. Gazetarët kanë kontaktuar me disa persona për të kryer këtë aktivitet, të cilët i kanë marrë përsipër transportin e një sasie prej disa koli me vezë, pa pasur nevojë për dokumentacion dhe pa ndjekur procedurat doganore.
Nga sa është vënë re në këtë emision, rezulton se personat kanë qënë me mjetin “Ford Galaxy”, që i përket shtetasit Lubçe Jono. Prokuroria ka bërë verifikimet dhe ka zbuluar se ky person kalonte në pikën e kontrollit në Goricë, ku sistemi TIMS nuk punon.
Ai bashkëpunonte edhe me shtetasin Petre Mitre si dhe ndihmohej nga punonjësit e doganës.
Top Channel