Me 19 tetor të vitit 2003, Gonxhe Bojaxhi e njohur në gjithë botën si Nënë Tereza e Kalkutës, u lumturua nga Papa Gjon Pali i Dytë. Kryeministri Edi Rama, në 12-vjetorin e lumturimit të Nënë Terezës ka sjellë një pjesë nga jeta e kësaj gruaje me fizik të vogël por me shpirt të madh.
“Një ditë, tregonte vetë Nënë Tereza, sollën në qendrën tonë në Kalkuta një grua që tërë jetën kishte jetuar në rrugë dhe trupi i së cilës ishte mbushur me plagë të gangrenizuara. Ndërkohë që ajo mallkonte botën mbarë, Nënë Tereza për orë të tëra i pastronte plagët. Murgeshë pse e bën këtë? Për hir të tim zot. Po kush na qënka ky zot? Dhe duke e përqafuar Nënë Tereza i përgjigjet tani ti e njeh, është dashuria”, tha kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë Rama ka përcjellë të gjitha ngjyrat e jetës së kësaj gruaje, e cila në thelb kishte mirësinë dhe dashurinë për çdo njeri në botë
“Nëse i besojmë Nënë Terezës mjaft të kujtojmë një fjalë të saj, mos prisni një lider tu thotë se çfarë të bëni, po bëni atë që mundeni, person në person”, tha Rama.
Ministri i Çështjeve Sociale Blendi Klosi tha se do të ketë një ligj për vullnetarizmin.
“Do të shkruajmë së bashku kapitullin për shërbimet sociale vullnetare. Ne sot kemi shumë nevojë për to. Shoqëria shqiptare ka nevojë t’i shërbejë gjithnjë e më shumë atyre njerëzve që kanë nevojë për dorën e shtetit, atyre të rinjve që e shohin veten e tyre jashtë kontributit të shoqërisë”, tha Klosi.
NENE TEREZA
“Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë, dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë.Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Kjo është Nënë Tereza, gruaja e cila u lind nga dy prindër shqiptar në Shkup më 26 gusht të vitit 1910. Në moshën 18-vjeçare ajo u bë pjesë e udhërit të motrave misionare të bamirësisë, ku dhe u pagëzua me emrin Tereza. Pas disa vitesh, kjo grua me shpirt të madh do të themelonte urdhrin “Misionaret e Dashurisë”, për të cilin do të njihej më pas në mbarë botën si “Nënë Tereza e Kalkutës”.
Deri në vitet ‘80 të shekullit të kaluar misioni i saj kujdesej për 7,500 fëmijë në 60 shkolla, mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë.
Pasi u shërbeu për një gjysmë shekulli të varfërve dhe të pashpresëve në Indi, Nënë Tereza e Kalkutës vdiq në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeçare. Ajo prehet në selinë e Urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta
Top Channel