Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka bërë hapin e parë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për daljen nga kriza politike parlamentare.
Pas bllokimit të Kuvendit nga opozita për gati një muaj, presidentja kosovare, si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve, ka nisur takimet me krerët e partive politike dhe shefat e grupeve parlamentare për të gjetur zgjidhje për zhbllokimin e Kuvendit.
Takimin e parë, Jahjaga e ka zhvilluar paraditen e së hënës me kryeparlamentarin, Kadri Veseli, ndërsa pas takimit tha në një konferencë me gazetarë se, u ka dërguar ftesa të gjithë krerëve të partive parlamentare.
“Shpresoj që kjo nismë e imja të ndihmojë, që shqetësimet t’i adresojmë me pjekuri politike, duke dëshmuar angazhimin tonë, që të jetësojmë përkushtimin tonë për një demokraci parlamentare, që fuqizon institucionet, forcon besimin e qytetarëve në perspektivën e vendit të tyre dhe krijon pajtimin bazik për rrugën tonë përpara”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.
Ftesës së presidentes për takime i janë përgjigjur pozitivisht të gjithë udhëheqësit politikë. Të hënën pasdite, presidentja ka pritur në takim të përbashkët krerët e koalicionit qeveritar, të cilët thanë pas takimit se nuk ka krizë, por bllokim të institucionit të Kuvendit nga opozita.
“Në Kosovë nuk kemi krizë parlamentare dhe as krizë politike. Kemi tentativë për të penguar funksionimin normal të institucioneve me masa të dhunshme. Ne do të përkrahim çdo nismë, që ndërmerr presidentja, por konsiderojmë se opozita duhet të veprojë vetëm me metoda kushtetuese dhe ligjore, e të mos dalë jashtë kornizave kushtetuese”, tha Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.
“Ishte një vlerësim i përbashkët se, në Kosovë nuk ka krizë politike, nuk ka krizë institucionale. Ka përpjekje për të penguar fizikisht funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, përmes veprimeve të dhunshme të opozitës. Të gjithë ata, që kanë vërejtje apo sugjerime, mund të ulen e të diskutojmë, të debatojmë, e gjithashtu mund t’i sjellin ato në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së.
Po ashtu, presidentja pritet të bisedojë në grup edhe me përfaqësuesit e opozitës, ditën e martë.
Përveç spektrit politik, Jahjaga ka takuar të hënën edhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të cilët i dhanë mbështetje për angazhimin e saj kushtetues për të lehtësuar dialogun politik me partitë politike parlamentare të Kosovës, në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend.
Nisma e presidentes për një tryezë të krerëve partiakë është mbështetur edhe nga zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, teksa përmes një postimi në Tëitter, ajo ka ftuar partitë politike të tregojnë përgjegjshmëri dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut për hir të së ardhmes së Kosovës.
Top Channel