Kontrollet e reja kanë vështirësuar rrugën e tyre nga Ballkani drejt Europës perëndimore, duke shtuar tensionet mes mijëra emigrantëve të drejtuar në veriun e kontinentit të vjetër.

Kroacia i kërkoi Sllovenisë fqinje që të pranojë 5.000 emigrantë në ditë, pretendim ky i refuzuar me justifikimin se nuk mund të marrë veçse gjysmën e tyre.

Pasoja e lëvizjeve në fjalë ishte një grumbullim njerëzish në kufirin e Kroacisë me Serbinë. Zyrtarë kroatë i thanë BBC-së se është thjesht çështje ditësh që kampet e strehimit të përkohshëm për refugjatët të mbeten pa vende të lira.

Autobusë të mbushur plot me të ardhur prisnin më kot në Serbi të djelën, e zemërimi mes emigrantëve të frustruar dhe efektivëve të tensionuar të policisë nuk vonoi të shpërthente.

Shumë refugjatë u detyruan të presin në mes të të ftohtit dhe shiut për të kaluar mëngjesin e sotëm në Slloveni.

Duke shpjeguar kufizimet e reja të vendit të tij, sekretari i Ministrisë së Brendshme sllovene, Bostjan Sefiç tha se fqinji verior, Austria, nuk priste më shumë se 1.500 njerëz në ditë, ndaj i duket më se e logjikshme që dhe Sllovenia të mos pranojë një numër të pakufizuar emigrantësh, duke e ditur fare mirë se këta njerëz nuk do ta vazhdojnë dot më tej rrugëtimin e tyre.

Nëse tek njerëzit do të hynin me ritmin e pretenduar, arsyeton zyrtari i lartë slloven, atëherë brenda 10 ditësh në Slloveni do të kishim 35.000 refugjatë, çka për ne është e papranueshme. Gati 5.000 emigrantë kaluan një natë të ftohtë në kampin e tranzitit në Opatovac të Kroacisë.

Stacionet hekurudhore në kufirin me Slloveninë ishin të heshtura mëngjesin e sotëm, thotë korrespondenti i BBC në rajon, ndërsa pasagjerëve në një tren që i ishte bllokuar hyrja në territorin slloven, autoritetet kroate i ofruan të zgjedhin: ose një qëndrim të përkohshëm në Kroaci, ose të largohen e të shkojnë nga të duan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA