PD: Rama-Lame kanë vjedhur 1,5 mln USD nga taksapaguesit

18/10/2015 00:00

Në një deklaratë për shtyp nga selia e PD-së, deputetja demokrate Mimoza Hajdarmata ka vijuar me denoncimin e aferës së pistë të vjedhjes, siç e cilësojnë ata, të 1,5 milionë dollarëve nga kreu i ALUIZNI-t dhe kryeministri Rama. Ajo është shprehur se prej dy ditësh, nga selia e PD po shfaqen fakte dhe dokumente të kësaj afere, si dhe janë ngritur shumë pyetje, por ende ato kanë mbetur pa përgjigje.

“Sot po ju tregojmë një aspekt edhe më të rëndë të kësaj afere. Ndërsa matjet në terren ishin kryer prej vitesh dhe letrat po zverdhen në arkivat e ALUIZNI-t, Lame dhe Rama na u mburrën se kishin 100 punonjës në terren vetëm në Tiranë, që po kryenin matje me ritme të papara. Ndërkaq, edhe pse kishin 100 punonjës në terren në Tiranë, siç shihet në dokumentet e Agjencisë së Prokurimeve Publike, po për këtë punë në 2015-n Rama dhe Lame kanë tenderuar një firmë private pa personel, për të evidentuar situatën në terren, “Tirana-1” dhe “Tirana-3”, me vlera 300 milionë dhe 100 milionë lekë respektivisht (me TVSH)”, tha deputetja Hajdarmata.

Megjithatë, për selinë demokratike këto 400 milionë lekë të përlara gjatë këtij viti nuk janë të vetmet, pasi edhe në fund të vitit 2014, Rama dhe Lame kanë zhvatur 127 milionë lekë të tjera, – siç thotë deputetja e PD-së, – pikërisht për të njëjtat zona “Tirana-1” dhe “Tirana-3”.

“Bashkëngjitur mund të shihni buletinet e 24 nëntorit 2014 dhe 1 dhjetorit 2014 të APP-së, që njoftojnë për lidhjet e kontratave me vlerë 64 mln lekë dhe 63 mln lekë respektivisht për Tirana-1 dhe Tirana-3, të dhëna pikërisht për bashkëshortin e drejtoreshës së Lames, që harton termat e referencës së tenderave”, vijoi më tej Hajdarmata.

Një skemë e thjeshtë, por e pistë ndarjeje parash të taksapaguesve mes Ramës dhe Lames, kështu e cilësojnë këtë aferë zyrtarë të Partisë Demokratike, duke shtuar se “fillimisht janë shpallur tendera për letrat që po zverdhen nëpër sirtarët e ALUIZNI-t, ndërsa më pas përdoret drejtoresha e besuar për të hartuar termat e referencës dhe shpallet fitues pikërish burri i drejtoreshës së besuar”.

Ky model abuziv – sipas selisë blu, – zbatohet edhe për qytetet e tjera të vendit dhe rezultat i këtij modeli është fakti që mbi 1,5 mln dollarë po vidhen nga Rama dhe Lame, nga taksat e shqiptarëve.

Top Channel