Takimi i Ramës me grupin parlamentar socialist, zbardhet agjenda, të pranishëm do jenë edhe ministrat Në një tjetër deklaratë për median, këtë herë nga deputeti demokrat Luçiano Boçi, selia blu ka vijuar me denoncimin e aferës së korrupsionit të kryeministrit, siç e cilësojnë ata, me ndërtuesin e sarajeve të tij, edhe pse nuk ka dhënë ende asnjë shpjegim për korrupsionin me paratë e OSHEE-së, që i mori ndërtuesi i afërt me të, edhe pse kishte ofertën më të lartë.
“Korrupsioni me tenderat për ndërtim godinash, ku fituesi është i paracaktuar dhe është Carapuli i tij, po shfaqen gjithandej. Ndërtuesi i sarajeve të Edi Ramës paraqet ofertën më të lartë, mundësisht aq sa është fondi limit, dhe shpallet sërish fitues. Edhe më skandaloze është çështja, kur fondi i vënë në dispozicion për ndërtuesin e Ramës zmadhohet e fryhet, në mënyrë që fitimi i tij të jetë i majmë”, denoncon deputeti Boçi, duke shtuar se diçka e tillë ka ndodhur edhe me tenderat e Ministrisë së Arsimit.
Përmes një dokumenti të shfaqur gjatë deklaratës, Boçi ka treguar sesi shpallet fitues firma “Eurocol” i Carapulit të Ramës, duke u skualifikuar të gjithë ofertuesit e tjerë me shuma shumë më të vogla. Sipas dokumentit, ndërtuesi i Ramës ka ofruar 99,2 për qind të fondit limit, 5 mld lekë, ndërkohë që garuesit e tjerë kanë pasur oferta më të ulëta, nga 4 mld deri në 4,8 mld lekë.
I njëjti veprim, sipas deputetit Boçi, është përsëritur edhe me OSHEE-në, një rast korrupsioni i neveritshëm, zhvatjeje parash të qytetarëve përmes kërbaçit, burgut dhe jetëve të shumta të qytetarëve.
“Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të hetojë këto raste skandaloze të shkeljes së ligjit dhe procedurave në tendera, këto raste të pastra të korrupsionit, kur paratë publike shkojnë gjithnjë te miku i Edi Ramës, i njohur botërisht si ndërtuesi i sarajeve të tij në Surrel”, ka përmbyllur deklaratën deputeti demokrat.
Top Channel