Kosovë, nis java për të drejtat e viktimave të krimit

18/10/2015 13:50

Me moton “Fëmijët nuk kanë nevojë të njohin dhunën”, të hënën në Prishtinë ka nisur të shënohet java për të drejtat e viktimave të krimit.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, nën patronazhin e të cilit është organizuar kjo javë, tha se sistemi prokurorial tashmë ka krijuar departamente të veçanta për të miturit.

“Me qëllim që fëmijët, viktimat e krimit të gëzojnë të drejtat për trajtim të duhur dhe efikas, sistemi prokurorial ka krijuar departamente të veçanta për të miturit, me prokurorë të specializuar që trajtojnë vetëm rastet që kanë të bëjnë me të mitur. Ndërkaq, në kuadër të zyrës sime kemi edhe një njesi për mbrojtjen dhe ndihmën e viktimave, ku zyrtarët e kësaj zyre kujdesen për realizimin e të drejtave të viktimave, nga momenti i kryerjes së krimit, deri në përfundim të procedurave”, shpjegoi Lumezi.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha: “Qeveria e Republikës së Kosovës është e vetëdijshme që sistemi i drejtësisë në vend duhet të vazhdojë me reforma, por njëkohësisht t’i japë përkrahje të plotë këtij sistemi, Prokurorisë së Shtetit si një institucion shumë i rëndësishëm i shoqërisë sonë. Ne si qeveri  ju sigurojmë që do të vazhdojmë përkrahjen në sistemin e drejtësisë, që është ndër shtyllat kryesore të shtetit tonë të ri, për të cilin neve na nevojitet një funksionim më i mirë, një funksionim i plotë për zhvillim, për mirëqenie dhe për progres”.

“Me anë të këtij ligji kemi rregulluar edhe bazën ligjore me qëllim të funksionimit të programit që bën të mundur kompensimin e viktimave të krimit. Ligji përcakton në mënyrë specifike se cilat janë ato vepra të dhunshme që hyjnë në kategorinë që duhet të kompensohen, për të cilat viktimat e krimit mund të parashtrojnë një kërkesë për kompensim. Veprat që janë parashikuar në kuadër të këtij projektligji ndër të tjera janë vrasjet,  trafikimi me njerëz, dhunimi, keqpërdorimi seksual i fëmijëve, vepra penale që vijnë brenda përkufizimit të dhunës në familje”, deklaroi Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.

Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, tha se megjithë hapat që janë hedhur, ende mbetet shumë punë për t’u bërë: “Kosova ka ndërmarrë hapa të mëdhenj gjatë viteve të fundit dhe qeveria amerikane është partnere krenare në këtë shndërrim. Po ashtu, jam krenar që qeveria amerikane ka mbështetur këtë vit edhe themelimin e fondit për kompensimin e viktimave, përmes të cilit u ofrohet ndihmë financiare viktimave. Më herët gjatë këtij viti, një delegacion nga Shqipëria ka ardhur në Kosovë për të diskutuar meritat e sistemit kosovar, kështu që Kosova me të vërtetë është bërë lidere në rajon sa i përket mënyrës së trajtimit të viktimave të krimit”.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së javës për të drejtat e viktimave të krimit ishin udhëheqës të sistemit të drejtësisë në vend, udhëheqës të institucioneve, ambasadorë të akredituar në Kosovë e të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA