Që prej së premtes, Partia Demokratike ka nisur denoncimi e një tjetër rasti, sipas saj korruptiv, këtë herë me ALUIZNI-n.
“Dje njoftuam për aferën Lame-Rama të 600 mijë dollarëve për matje në terren në Durrës. Sot ju tregojme sa është vlera totale që po ndajnë si plaçkë Rama dhe Lamja, si edhe procedurat tejet korruptive të ndjekura që nuk guxon kush t’i zbatojë as në vendet më të korruptuara të botës. Afera e perlarjes së parave, për të blerë një produkt që ALUIZNI e ka, për Shkodren, Fierin, Elbasanin, Tiranën 1, Tiranen 3 dhe Tirana 5, shkon në shumën 1 miliardë e 100 milionë. Vlera totale e ndarjes së parave së bashku me aferën e Durrësit prej 650 milionë lekësh, të cilën e denoncuam dje, shkon në rreth 1 miliardë e 750 milione lekë, apo 1.5 milionë USD”, deklaroi drejtorja e Departamentit Antikorrupsion në Partinë Demokratike, Lealba Pelinku.
Sipas opozitës, matjet në këto zona janë bërë njëherë dhe ndodhen të regjistruara në serverat e ALUIZNI-t.
Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë që të nisë hetimet për këtë denoncim dhe të zbardhë se si dhe nga kush kryhen procedurat e tenderimit, që sipas opozitës është bashkëshorti i Drejtores së Shërbimeve Mbështetëse te ALUIZNI.
“Znj. Dervishaj është pikerisht personi qe hartoi termat e referencës së tenderit, kriteret kualifikuese, përjashtuese për të tjeret, dhe vini re, tenderin e fiton bashkeshorti i saj, z.Dervishaj. Për z. Rama dhe z.Lame këtu nuk ka asgjë të parregullt. Por për çdo shqiptar kjo bie erë si vjedhje pa lezet dhe ndarje parash mes Ramës-Lames dhe bedeleve të tyre. Njeriu i Rames dhe Lames vendosi kritere te dedikuara për të skualifikuar të padeshiruarit, dhe për tia dhënë në tryezë burrit të saj”, thotë opozita.
Sipas PD-së janë lënë gjurmë të forta që dëshmojnë korrupsionin në agjencinë e legalizimeve.
“Në turravrapin për të vjedhur, duke ditur veç komanden copy-paste, janë bërë edhe gabime trashanike si psh; Drejtoria e Fierit shpall tenderin për evidentim ndërtimesh në Shkodër! Vlera totale e Elbasanit me shifër shënohet 8 milionë lekë të reja dhe me fjalë shënohet 50 milionë lekë të reja!”, tha Pelinku.
Në fund, Partia Demokratike thotë se korrupsioni te ALUIZNI nuk është i denjë as për vendet më të korruptuara në botë.
Top Channel