Dy ditë pas protestës së fermerëve para Parlamentit, që u mbështet nga Partia Demokratike, ka reaguar Ministria e Financave.
Zv.ministrja Irena Beqiraj tha se qeveria është duke subvencionuar fermerët dhe përmes politikave të saj ka zgjeruar tregun e tyre.
“Duke u dhënë mundësi të gjithë grumbulluesve të produkteve bujqësore, të kreditonin, ose të vetëfaturonin produktin bujqësor të pajisur me NIPT. Ky 20 përqindësh i TVSH-së, për faturën që vetë mbush grumbulluesi është subvencion total i fermerit të pajisur me NIPT. Kjo është një reformë jashtëzakonisht e rëndësishme pasi mbi të gjitha siguron treg për fermerin”, tha Beqiraj.
Zonja Beqiraj tha se pajisja me NIPT nuk rrit taksat për femrët, por sipas saj shërben vetëm për të bërë të mundur që ata të marrin rimbursimin 20 përqind të TVSH-së për çdo produkt që shesin.
“NIPT-i nuk i jep fermerit asnjëlloj përgjegjësie fiskale, por vetëm i krijon mundësi grumbulluesit që të blejë produktin e fermerit dhe ne të kemi mundësi që të identifikojmë që ky produkt është blerë vërtet nga një fermer shqiptarë.
Sipas Beqirajt, reforma e qeverisë në bujqësi ka dhënë rezultate në rritjen e eksporteve dhe të ardhurave për fermerët.
Top Channel